AlbanianSport.com 01/12/2017 18:05
ASNN – Festivali më i madh futbollistik në planet, që do të mbajë verën e ardhshme në Rusi fazën finale të edicionit të 21-të të tij, ka hedhur të premten në Moskë shortin, duke përvijuar edhe sfidat kryesore të 8 grupeve të saj në betejë për trofeun më të çmuar, atë të kampiones së botës. Ceremonia e zhvilluar në Kremlin, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, pritja e madhe ka marrë tashmë fund dhe gjithçka është përvijuar qartësisht. Festivali më i madh futbollistik në planet, që do të mbajë verën e ardhshme në Rusi fazën finale të edicionit të 21-të të tij, ka hedhur të premten në Moskë shortin, duke përvijuar edhe betejat kryesore të 8 grupeve të saj në betejë për trofeun më të çmuar, atë të kampiones së botës.
Në ceremoninë e zhvilluar në Kremlin dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, 32 skuadrat pjesëmarrëse kanë njohur kundërshtarët e tyre në grupe, ndërsa duhet theksuar se shorti ka qenë bujar me ekipet e cilësuara si favorite, duke shmangur ato që përndryshe referohen si grupe “të hekurta”.
Kështu, në grupin A, vendi organizator, Rusia, do të përballet me Uruguajin, Egjiptin dhe Arabinë Saudite, ndërsa do të jetë pikërisht dueli midis vendasve dhe sauditëve ai që të ngrejë siparin e Botërorit të 21-të të futbollit më 14 qershor 2018 në Stadiumin “Luzhnjiki” të Moskës. Interesant është në grupin B dueli iberik midis kampiones në fuqi të Evropës, Portugalisë dhe fqinjes dhe rivales së saj, Spanjës, ndërsa Irani dhe Maroku plotësojnë 4-shen.
Një grup intrigues duket grupi C, ku Franca do të përballet me rivalen kontinentale, Danimarkën, por edhe me sfidantet nga dy kontinente të tjera, siç janë Peruja dhe Australia. Në atë që mund të cilësohet si grupi më i fortë, nënkampionia e botës, Argjentina, e cila vuajti për t’u kualifikuar, do të përballet me dyshen evropiane, Kroacinë dhe Islandën, të cilat ishin në të njëjtin grup edhe në fazën eliminatore, si dhe Nigerinë.
Pesë herë kampionia e botës Brazili, do të jetë në grupin E së bashku me Zvicrën, Kosta Rikën dhe Serbinë, ndërsa kampionia në fuqi e botës, Gjermania, do të sfidohet nga një tjetër rivale evropiane, Suedia, e cila i shkaktoi Italisë eliminimin për herë të parë në 60 vjet në fazën e “play-off”-eve, si dhe nga Meksika dhe nga Koreja e Jugut në grupin F. Të favorizuara duken në grupin G dyshja evropiane, Belgjika dhe Anglia, që do të përballen me Tunizinë dhe Panamanë, ndërsa i hapur duket grupi H, ku do të ndeshen me njëra-tjetrën Polonia, Kolumbia, Senegali dhe Japonia.