AlbanianSport.com 13/02/2021 14:55
ASNN – Spikatin çiftet Everton-Mançester Siti dhe Leister Siti-Mançester Junajtid. Veprimtaria e dytë më e rëndësishme e futbollit anglez, por edhe veprimtaria më e vjetër futbollistike në botë, Kupa e Anglisë, e njohur ndryshe si “FA Cup”, ka hedhur të enjten në mbrëmje shortin e çerekfinaleve, duke dhuruar 4 duele intriguese. Këto çerekfinale, do të përcaktohen nga një takim i vetëm, që, sidoqoftë, nëse mbyllet në barazim, luhet edhe një duel tjetër në fushën e skuadrës mike, do të zhvillohen në fundjavën e 20 marsit 2021.
Bornmuthi, Mançester Junajtid, Shefilld Junajtid, Sauthemptoni, Evertoni, Mançester Siti dhe Leister Siti ishin pjesë e këtij shorti, ndërsa, në kohën e hedhjes së tij, takimi midis Barnslit dhe Çellsit nuk ishte luajtur ende. Kështu, Mançester Siti do të përballet në çerekfinale me Evertonin, ndërsa Leister Siti do të ndeshet me Mançester Junajtid. Skuadra e Pep Guardiolës është në luftë për trofe në të 4 frontet, pasi kryeson e shkëputur Premier Ligën, është në finale të Kupës së Ligës Angleze, por edhe turin e 16-shes së Ligës së Kampionve.
Por Mançester Siti nuk pritet ta ketë të lehtë përballë Evertonit të drejtuar nga trajneri Karlo Ançeloti, që mposhti Totenhemin 5-4 në turin e 16-shes. Ndërkaq, Mançester Junajtid i trajnerit Ole Gunar Solskjaer mundi Uest Hemin me një gol në kohën shtesë, për t’u kualifikuar në çerekfinale, ku do të përballen me Leister Sitin, që është mundur në 4 finale të Kupës së Anglisë dhe po kërkon triumfin e parë.
Çellsi, që ka mundur të enjten në mbrëmje Barnslin me një gol të vetëm, do të përballet me Shefilld Junajtid, kurse Sauthemptoni, që e siguroi kualifikimin me një fitore 2-0 në fushën e Vulverhempton Uondërers, mori si shpërblim një duel në çerekfinale me Bornmuthin.
Kupa e Anglisë
(FA Cup)
Shorti i çerekfinaleve:
Everton – Mançester Siti
Bornmuth – Sauthempton
Leister Siti – Mançester Junajtid
Çellsi – Shefilld Junajtid
Ndeshjet luhen në fundjavën e 20 marsit 2021.