AlbanianSport.com 18.03.2016 14:20
ASNN – Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve dhe çifti më i spikatur është derbi spanjoll, Barcelona-Atletiko e Madridit. Çiftet e tjera çerekfinaliste janë Volfsburg-Real i Madridit, Bajern i Mynihut-Benfika dhe Mançester Siti-Paris Sen Zhërmen. Po sot është hedhur edhe shorti i çerekfinaleve të Ligës së Evropës, ku spikat dueli Borusia e Dortmundit-Liverpul.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve ka hedhur të premten shortin e çerekfinaleve, duke dhuruar midis tyre edhe një derbi spanjoll. Është pikërisht kampionia në fuqi e Evropës, Barcelona, e cila do të përballet me finalistet e mundur të 2014-s, Atletikon e Madridit, ndërsa ndeshja e parë do të luhet në “Kamp Nou”. Një tjetër përballje e barazpeshuar është ajo franko-angleze midis Paris Sen Zhërmenit dhe Mançester Sitit, me përballjen e parë që do të luhet në kryeqytetin francez. Në dy çiftet e tjera duket se janë favorizuar dy gjigandet e futbollit evropian, Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit. Bavarezët do të ndeshen me portugezët e Benfikës, me takimin e parë që do të luhet në “Allianz Arena”, ndërsa madrilenët përballen me Volfsburgun, me ndeshjen e parë që luhet në Gjermani. Takimet e para të çerekfinaleve luhen më 5 dhe 6 prill, ndërsa ato të kthimit, një javë më pas, më 12 dhe 13 prill 2016. Po të premten është hedhur edhe shorti i çerekfinaleve të Ligës së Evropës, ku spikat dueli Borusia e Dortmundit-Liverpul. Edhe në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit ka një derbi spanjoll, Atletiko e Bilbaos-Sevilja, ndërsa dy çiftet e tjera janë Braga – Shahtjor i Donjeckut dhe Vijareal-Sparta e Pragës.Takimet e para të çerekfinaleve luhen më 7 prill, ndërsa ato të kthimit, një javë më pas, më 14 prill 2016.