Gjergj Vyshka 14.10.2015 08:50
Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, dhe ai i Federatës Shqiptaretë Hendbollit, Nesim Jahollari, kanë vlerësuar figurën e themeluesit të këtij sporti në vend. Në kupën e aktivizuar fituese u shpall Vllaznia. Kështu, Vllaznia është fituese e Kupës “Kostandin Ktona” në hendboll në veprimtarinë që është zhvilluar të dielën paradite në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit. Në këtë veprimtari, e cila është bërë me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Hendbollit, kanë marrë pjesë pesë ekipe.
Dhe ato ishin Elbasani A dhe B, Vllaznia, “Ali Demi”, Vlorë, si dhe kombëtarja e veteranëve të hendbollit, e cila u bë me ish-sportistë të Studentit, Partizanit dhe Elbasanit. Nuk duhet harruar që Kostandin Ktona dhe Firdeus Gjevori jo vetëm që kanë qenë ndër të parët në themelimin e ekipeve të hendbollit diku në mesin e viteve 80 dhe deri në mesin e viteve 1990, por të dy së bashku kanë edhe trajnerë të ekipit kombëtar. Sepse baza e kuqezinjve ishte Studenti dhe Elbasani, pa harruar dhe skuadra të tjera përbërëse të këtij kampionati, që për hir të së vërtetës, edhe pse ka pasur shtrirje thuajse në të gjithë vendin tonë, sot është katandisur si “kokoshi nën një thelë”.
Si pjesa më e madhe e të gjitha sporteve në vend. Të paktën edhe sipas informacionit që ka dhënë kryegjyqtari i kësaj veprimtarie, Shpëtim Lamçe (ish-asistenti i FIFA-s, por në të njëjtën kohë prej vitesh gjyqtar i hendbollit), fillimisht janë ndeshur Elbasani B me Vllazninë, Elbasani me “Ali Demin” Vlorë, si dhe Elbasani B me kombëtaren e veteranëve. Dhe në finale janë vënë përballë njëra-tjetrës Elbasani me Vllazninë, atje ku shkodranët me një gol më shumë se vendësit kanë arritur të dalin fitues.
Me rezultatin 25-26, kuqeblutë janë bërë fituesit e Kupës “Kostandin Ktona”, ndërkohë që figura e tij është vlerësuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ai i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari. Madje një figurë e tillë, tashmë në emër të veteranëve të hendbollit shqiptar, është vlerësuar dhe nga Andrea Kola, ish-hendbollist i Studentit.