Gjergj Vyshka 10.07.2016 21:45
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit,Armand Çakalli, ka lajmëruar se nga data 11, deri më 18 korrik 2016, një grup hendbollistësh shqiptarë do të jenë në një kamp stërvitor veror në Kosovë. Bëhet fjalë për 10 vajza dhe 10 djem nga Shqipëria, të cilët do të trajnohen në Prishtinë duke kërkuar të marrin sa më shumë nga përvoja e kosovarëve.
Në këtë kamp do të trajnohen, gjithnjë sipas Çakallit, 150 hendbollistë, mosha e të cilëve do të jetë 14, 15 dhe 16 vjeç. Në grupin që do të ketë përgjegjës Florian Dedjen bëjnë pjesë sportistë e sportiste nga Elbasani, Tirana, Cërriku, Shkodra e Vlora. “Në grup, – thotë Çakalli, – bëjnë pjesë dhe 4 vajza nga Shkupi, të cilave jemi duke u bërë pasaportën shqiptare, ndërsa më pas ato do të jenë pjesë e kombëtares së të rejave”.
Kësisoj pas pjesëmarrjes në turneun ndërkombëtar të vendeve në zhvillim, përfundimit të kampionatit, hendbolli shqiptar tashmë i ka shtuar vetes dhe një kamp stërvitor veror në Kosovë, gjë që e rrit dhe më shumë këtë sport të rihapur rishtazi në vendin tonë.