Gjergj Vyshka 09.03.2016 09:15
Shqipëria e hendbollit, e cila pas dhjetë vjetësh mungesë është duke marrë pjesë në turneun e vendeve të vogla dhe vendeve në zhvillim, që organizohet nga Federata Botërore dhe ajo Evropiane, ka qenë një katastrofë e vërtetë. Sepse një përfaqësuese e sajuar nisur nga fakti që është e përbërë nga basketbolliste e volejbolliste, ndërsa në Shqipëri ende nuk ka një kampionat të mirëfilltë për vajza.
Ndaj dhe pasojat diheshin e nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Letonia na ka mundur me 47 gola diferencë, 48-1, ndërsa pjesa e parë ka përfunduar 24-0. Në pjesën e dytë golin e vetëm për tonat e ka shënuar Zajmi. Ndeshja e radhës për tonat do të jetë përballë Qipros, por situata nuk duket optimiste në këtë paraqitje ndërkombëtare pas 10 vjetësh mungesë në arenën ndërkombëtare.
E aq më tepër për femra kur ende s’ka një kampionat të tillë. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli, ishte krejtësisht e pamundur të përballohej Letonia një kundërshtar shumë i përgatitur. “U munduan, – thotë me shumë keqardhje Çakalli nga Tbilisi, – por ishte shumë e vështirë. Na çorientuan që në 15 minutat e para e më pas skuadra nuk e mori dot veten.”
“Edhe pse u pësuan 48 gola, lojtarja më e mirë ishte portierja, – ka vijuar nr. 2 i organizmit që qeveris hendbollin shqiptar. – Sidoqoftë, të shohim si do ecim më tej”.
Letoni – Shqipëri 48-1
Shënuese: Armane (4), Z.Kaulakane, Lapsa (2),
Jugane (2), Skudra (9), Purvina (7), Rutkovska (12),
Veide (2), G.Kaulakane (7), Dergaçeva (2) / Zajmi
Letonia: Kokina, Umjarova, Armane, Z.Kaulakane, Lapsa, Krumina, Jugane / Skudra, Malceniece, Purvina, Rutkovska, Veide, G.Kaulakane, Dergaçeva. Trajner: V. Brikmane
Shqipëria: Muzha, Delia, H. Zajmi, Konini, Aliaj, Gozhdari, Beqo /S. Zajmi, Zavalani. Trajner: Sh. Lamçja
Gjyqtarë: A. Hese, A. Martin (Britani e Madhe)
Kartonë të verdhë: Muzha, Gozhdari