Gjergj Vyshka 02.12.2015 11:35
Hendbolli shqiptar ka nisur kampionatin për sezonin 2015-2016 me pjesëmarrjen e gjashtë ekipeve, të cilat janë të ndara në dy grupe. Elbasanit si “kampione” në fuqi, Vllaznisë, por dhe “Ali Demit” të Vlorës, e cila ka zëvendësuar Flamurtarin, i janë shtuar tre ekipe të shkollave 9-vjeçare të Tiranës.
Bëhet fjalë për “Qazim Turdiun”, që drejtohet nga trajnerët Fatos Xhemalaj dhe Besmir Selimaj. Më pas për “Hasan Prishtinën”, me trajner Sulejman Hajdinin, si dhe “Skënder Çaçi” me trajner Ramazan Konçin. Pa harruar këtu që trajneri i “Ali Demit” të Vlorës është një rekordmen i hedhjes së shtizës si Kastriot Malaj, apo i Vllaznisë, Artan Duraj.
Ndërkohë, ndeshjet, të cilat janë duke u luajtur në palestrën e Universitetit të Sporteve në Tiranë, e cila ia ka dhënë mjediset falas, kanë për kryegjyqtar Shpëtim Lamçen, ndërsa kanë gjykuar Aldin Hysenaj dhe Maltin Hajdini.