AlbanianSport.com 02.12.2016 21:15
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, përfaqësuesja e Kosovës i ka nisur me humbje eliminatoret e Kampionatin Botëror të Hendbollit të Femrave, që po mbahen në Minsk të Bjellorusisë. Vajzat kosovare janë mposhtur sonte nga Zvicra, në kuadër të Grupit 2, duke u mundur me rezultatin e thellë, 36-21.
Helvetet ishin më të mira në pjesën e parë, të cilën e mbyllën me 6 gola epërsi, 16-10, ndërsa e rritën epërsinë në pjesën e dytë, duke e mbyllur krejt ndeshjen me 15 gola përpara. Tek Kosova, më të dalluarat ishin Albulena Kelmendi me 7 gola, Aida Stagova me 4 dhe Burneta Rama (u ndëshkua me karton të kuq) e Fitore Aliu me nga 3 gola.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë nesër me Turqinë, duke filluar nga ora 13:00, kurse në duelin e fundit të këtij grupi do të luajë me Bjellorusinë të dielën, duke filluar nga ora 14:00. Kosova synon të lë përshtypje të mira në këto eliminatore, pasi gjendet në një grup shumë të vështirë.