Gjergj Vyshka 16.05.2016 07:55
Elbasani është “kampion” i Shqipërisë në hendboll për meshkuj, ndërsa dje në mesditë, në fushën e vet, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” ka mundur Vllazninë, 29-20. Pjesa e parë, sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli, ka përfunduar 16-9 për Elbasanin.
Ndeshja është gjykuar nga dy gjyqtarë kosovarë, ndërsa ka qenë i pranishëm edhe një delegat i Federatës Evropiane i Hendbollit. Në finale ka qenë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari, që ka qenë edhe sponsorizuesi kryesor i kësaj veprimtarie.
Por gjithashtu dhe nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Artin Kovaçi, i cili ka dorëzuar dhe Kupën për Elbasan. Sakaq do të ketë dhe një veprimtari për shkollat, ka zbuluar Çakalli, sepse pretendohet që të hapet e para shkollë sportive në Elbasan për hendbollin.
“Ne bëmë dhe një analizë të të gjithë veprimtaritë dhe mendojmë që me hapjen e klasave sportive në shkollat 9-vjeçare të kemi më shumë prurje në këtë sport, – ka thënë ai. – Më duhet t’iu them që në shtator do të jetë në Tiranë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane i Hendbollit për një mbështetje më shumë për ne.”
Kështu, Elbasani është “kampioni” i Shqipërisë për sezonin 2015-2016.