AlbanianSport.com 29/03/2019 15:20
ASNN – Një prej lojtarëve më të mirë e më të dashur të futbollit shqiptar, Hamdi Salihi, vendos të tërhiqet nga futbolli. Shkodrani i qetë dhe serioz, i cili ka regjistruar një karrierë brilante me shumë skuadra dhe me peshë për shumë vite edhe në ekipin kombëtar, vendos të varë këpucët në gozhdë, në moshën 35-vjeçare. Nëpërmjet një mesazhi në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, Salihi informon që ndeshja e kësaj fundjave që skuadra e tij Vjener Nojshtad do të ketë ndaj Vacker Insbruk, do të jetë e fundit për të si profesionist.
Sulmuesi kuqezi kishte kohë që “lëkundej” në një dilemë për të vazhduar apo ndërprerë karrierën, por kur edicioni po shkon drejt fundit dhe kur në Austri i kanë ardhur ofertat e para për të qenë pjesëtar stafi në skuadrën e tij, duket se është bindur që të ndalojë dhe ta mbyllë përfundimisht karrierën e tij aktive, me shumë suksese e triumfe, si rrallë ndonjë tjetër nga futbollistët shqiptarë. I lindur në Shkodër, më 19 janar të vitit 1984, Hamdi Salihi do të fiksohej shpejt në qytetin simbol të futbollit si një djalosh me të ardhme, me potencial të lindur sulmues dhe një futbollist që kapi shpejt majat.
Ai e nisi karrierën e tij që në moshën 16-vjeçare me të rinjtë e Vllaznisë, në vitin 2000 dhe për dy vite ishte pjesë e kësaj skuadre. Më pas, në vitin 2002 kaloi në ekipin e parë të Vllaznisë dhe prej atij momenti, për 17 vjet me radhë, Hamdi Salihi luajti në 11 skuadra, prej të cilave 3 skuadra shqiptare dhe 8 skuadra të huaja. Hamdi Salihi i ka rënë përqark botës, sepse ka luajtur në tre kontinente, në Evropë, Amerikë dhe Azi. Ka luajtr nga SHBA në Kinë dhe nga Izraeli në Austri. Në vitin 2002 ai nisi karrierën si profesionist me Vllazninë.
Me të cilën luajti 55 ndeshje dhe shënoi 30 gola midis viteve 2002-2004. Pikërisht në vitin 2004 ai kaloi në Greqi, ku u aktivizua me Panioniosin, ku luajti vetëm 6 ndeshje në sezonin 2004-2005. Më pas kthehet në Shqipëri dhe bëhet pjesë e Tiranës, me të cilën luan midis viteve 2005-2007 plot 50 ndeshje, ku shënoi 42 gola. Forma e mirë dhe rendimenti i lartë në sulm i mundësuan kalimin në Bundesliga austriake ku u bë pjesë e Riedit. Me këtë skuadër luajti midis viteve 2007-2009, ku u aktivizua në 82 ndeshje dhe realizoi 34 gola.
Kjo është periudha më e gjatë e aktivizimit në një skuadër për shkodranin. Më pas, në vitin 2009, ai u bë pjesë e skuadrës së njohur austriake, Rapid i Vjenës, ku arriti kulmin e karrierës së tij. Midis viteve 2009-2012, për 3 sezone rresht, Hamdi Salihi luajti me Rapidin 67 ndeshje dhe shënoi 36 gola, periudha më e mirë e karrierës së tij në nivel elitar. Në vitin 2012 Salihi do të braktiste Austrinë, për të kaluar oqeanin Atlantik dhe për t’u bërë pjesë e kampionatin amerikan të futbollit “Major League Soocer”, në SHBA, pikërisht me skuadrën e DC Junajtid, ku për një sezon luajti 22 ndeshje e shënoi 6 gola.
Sezoni pasardhës, (2013-2014) e gjen në Kinë, me Jangsu Sainti, ku luajti në 28 ndeshje dhe shënoi 9 gola. Shkodrani e braktisi Kinën dhe zbarkoi në Izrael në vitin 2014, për t’u bërë pjesë e Hapoel Akres, për një sezon, ku u aktivizua në 33 ndeshje dhe shënoi 14 gola. Ishte një rilindje për futbollistin ai sezon, sepse realizoi edhe gola që do të mbahen mend gjatë për klasin e realizimit. Në vitin 2015 për pak javë Salihi firmos me Hapoel Haifën, skuadër me të cilën luajti 10 ndeshje dhe shënoi 4 gola. Pikërisht në vitin 2015, Hamdi Salihi kthehet në Shqipëri.
Ai do të bëhet pjesë e kampionëve të Superiores, Skënderbeut, skuadër me të cilën luajti dy sezone (2015-2016 dhe 2016-2017), ku u aktivizua në 63 ndeshje dhe shënoi 42 gola. Kuptohet, në Superiore askush nuk mund t’ia kalojë Hamdi Salihit për efikasitet në repartin ofensiv. Në vitin 2017, Hamdi Salihi kalon edhe një herë jashtë vendit, duke u bërë pjesë e skuadrës së Vjener Nojshtad në Bundesligën 2 të Austrisë, skuadër me të cilën ka luajtur deri tani 46 ndeshje dhe ka shënuar 26 gola. Në karrierën e tij të gjatë 17-vjecare, Hamdi Salihi ka realizuar mbi 260 gola.
Ai ka luajtur me skuadrën kombëtare të Shqipërisë 50 ndeshje dhe ka realizuar 11 gola dhe ka qenë një mëkat që nuk ishte pjesëmarrës me ekipin në finalet e Evropianit të Francës në vitin 2016, për kontributin që pati dhe emrin e mirë që ka ndër sportdashësit shqiptarë. Hamdi Salihi ka luajtur në karrierën e tij mbi 500 ndeshje si profesionist, gjë që e bën atë një prej futbollistëve më të shquar të futbollit shqiptar dhe shumicën e ndeshjeve dhe golave i ka realizuar në kampionate elitare sikurse është Bundesliga e Austrisë.
Emocionet që ka përcjellë ky djalosh fantastik shkodran dhe ky futbollist që foli vetëm në fushë, e kanë bërë atë të jetë ndër lojtarët më të dashur për tifozët shqiptarë jo vetëm të Vllaznisë, Tiranës dhe Skënderbeut me të cilët ka luajtur, por të të gjithë Shqipërisë. Tashmë, karriera e tij do të vijojë në një dimension tjetër, me siguri në atë të trajningut ose drejtuesit sportiv.