Gjergj Vyshka (ASNN) 28.07.2015 23:30
ASNN – Hamdi Salihi është shprehur tejet i lumtur për golat e realizuar dhe fitoren e arritur në Moldavi. “Më vjen mirë që jemi në rrugën e mbarë, – ka thënë ai pas triumfit që korçarët arritën falë të dy golave të tij në Kishinjev ndaj Milsamit. – Ky ekip ka potencialin e duhur dhe të gjitha mundësitë për ta bërë realitet ëndrrën e të gjithë tifozëve shqiptarë.”
“Jam shumë i kënaqur me këtë rezultat dhe natyrisht ndjehem mirë që kam kontribuar për këtë skuadër”, – ka shtuar ai. Ndër të tjera, golashënuesi shkodran tha se e vlerëson faktin që luan për Skënderbeun dhe lojtarët bardhekuq me të cilët ndjehet shumë mirë në fushën e blertë.
“Golat, Isha’Allah nuk mbarojnë kurrë, – ka qenë lutja e tij. – Ka lojtarë të jashtëzakonshëm, por duhet të rrimë me këmbë në tokë edhe të dalim me sukses dhe në ndeshjen tjetër. Kur nuk shënon dhe kur nuk je protagonist harrohesh. Kam vazhduar të punoj shumë, që t’ua shpërblej të gjithë atyre që kanë besim tek unë.”
“Herën e fundit që shënova harrova t’ia dedikoja babait golin sepse kishte ditëlindjen, ndaj sot golat dhe këtë fitore e meriton ai dhe gjithë tifozeria shqiptare”- përfundoi sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi. Për Salihin trajneri Josa do të deklaronte: “Unë e njoh mirë Salihin, nuk ka nevojë të flasim për të.”