Gjergj Vyshka 17.01.2015 07:25
Habit Kamza, ndërsa skuadra e periferikëve të kryeqytetit edhe pse është një kategori më lartë se sa kryesuesit e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë nuk ka pasur asnjë diferencë me Gramshin. Madje kjo e fundit për atë që ka dhënë në fushën e lojës, jo vetëm nëpërmjet titullarëve të saj, por dhe me lojtarët e ardhur nga stoli i rezervave në pjesën e dytë, është dukur një skuadër e denjë për të qenë në Kategorinë e Parë. Që do të thotë se jo vetëm që meriton kryesimin në Jug, teksa është shkëputur pesë nga pikë nga rivalët, por dhe atë që do të jetë vitin e ardhshëm në të njëjtën kategori me Kamzën.
Duke u ndalur tek skuadra vendëse, ndryshe nga ajo që ka dhënë të mërkurën përballë Dinamos, kamzalinjtë janë dukur sikur kanë hyrë në fushën e lojës me një farë nënvlerësimi për ato që kishin përballë. Jo vetëm kaq, por edhe terreni i fushës, në një farë mënyre i papërshtatshëm, nuk e ka lejuar Kamzën të qarkullojë mirë e saktë topin. Vendosja taktike e Zanit ka qenë po ajo që qenë me Dinamon, 4-2-3-1. Veçse kanë ndryshuar pozicionet e lojtarëve, të paktën në mbrojtjes. Kështu Nino ka qenë mbrojtës i djathtë dhe pranë Gjonit në qendër të mbrojtjes është vendosur Ibrahimllari, kurse Peposhi është zhvendosur në të majtë.
Më pas në mesfushë, tashmë si “valë-pritës”, kanë qenë Zuna e Keta, por të dy kanë pasur vështirësi në prishjen dhe ndërtimin e aksioneve sulmues të Kamzës. Kurse në ndihmë të Ymerit si sulmues i deklaruar kanë qenë Lame në të djathtë, Koleci në qendër dhe Gjonaj në të majtë. Për Kamzën kjo ishte miqësorja e tretë e si të thuash skuadra duhet të ishte më e zhdërvjelltë dhe më me shumë forcë për të vënë përpara kundërshtari. Përkundrazi dy herë më goditje standarde me anë të Koçit, Gramshi thuajse ka rrezikuar në portën e mbrojtur nga Sejdini.
Gjithsesi me vështirësi Kamza del në sulm, ndërsa në një aksion të shpejtë të Zunës, Koleci i është vjedhur bukur mbrojtjes gramshiote pas shpinës dhe ka shënuar në minutën e 37-të. Në pjesën e dytë, Kamza ka futur 11 lojtarë të tjerë, atje ku bie në sy rikthimi i Bllokut, që vazhdon të jetë shumë larg portës kundërshtare, ndonëse është sulmues i mirëfilltë. Metani i bën me ngadalë zëvendësimet e tij dhe për rrjedhojë, në të 53-tën minutë, Gjoka ka shënuar në portën e Kamzës, duke fiksuar kështu barazimin 1-1.
E vërteta është se Kamzës largimet e Udoh dhe Olatunjit, që bënin mirë linjën e majtë si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm, duket se kanë krijuar probleme. Jo vetëm kaq, por ndoshta skuadrës i mungon dhe përvoja e Tafajit dhe Mahos, të cilët që nga 20 dhjetori kur është mbyllur kampionati nuk janë dukur në skuadër. E pse jo dhe Xhemalaj mund dhe duhet të jetë një mungesë e konsiderueshme. Me të pestë këto mungesa, pa i hequr vlerën futbollistëve të tjerë, që gjithsesi do të mundohen ta mbajnë në Kategorinë e Parë, Kamza dhe pse ka bërë tre ndeshje miqësore dje nuk ka pasur asnjë diferencë me Gramshin e Kategorisë së Dytë.
Dhe kjo nuk është normale, ndonëse Zani ka qenë i kënaqur me titullarët e formacionit, ndërsa ka pasur rezerva për ato që kanë ardhur nga stoli i rezervave. Përfundimisht Kamza fikson barazimin e dytë në ndeshjet miqësore.
Kamza – Gramshi 1-1
Shënues: Koleci 37’ / Gjoka 53’
Kamza: Sejdini, Nino, Ibrahimllari, Gjoni, Peposhi, Zuna, Keta, Koleci, Lame, Gjonaj, Ymeri. Trajner: Y. Zani. U aktivizuan: Spaho, Bliu, Abazaj, Blloku, Boriçi, Shero, Patushi, Sharko, Mehmeti, Doku, Hametaj.
Gramshi: Saraçi, Hima, Mata, Pinari, Selimaj, Gjoka, Koçi, Latifi, Haka, G.Fuçia, Muhollari. Trajner: L. Metani. U aktivizuan: Xhixha, Vasiu, Lleshi, Paplekaj, Sallata, Duka, E. Fuçia, K. Fuçia, Xhaxhiu, Ferhati, Xhetani.
Gjyqtarë: M. Shabanaj, J. Gjata, L. Cani (Tiranë)
Karton i verdhë: Haka