AlbanianSport.com 12/12/2018 15:40
ASNN – Lajmet që vinin nga mediat e Kosovës kanë spekuluar ditët e fundit se klubi i futbollit i Trepçës ‘89 është penduar, duke i kërkuar Gugash Maganit të kthehet në Kosovë. Trajneri peqinas e drejtoi një sezon në Kosovë Trepçën ’89, ndërsa këtë edicion, pas disa javësh dha dorëheqjen nga drejtimi i kësaj skuadre, sepse ekipi nuk po funksiononte si duhet.
Mediat e Kosovës shkruajnë se zyrtarët e klubit mitrovicas e kanë analizuar me kujdes situatën dhe kanë kuptuar që me Maganin ekipi po ecte mirë, ndërsa tani ka zbritur në vend të 7-të dhe nuk ka pritshmëritë e duhura. Megjithatë, i kontaktuar nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, vetë 53-vjeçari ka theksuar se nuk ka patur asnjë kontakt nga ana e drejtuesve të klubit të Trepçës ’89.
Dhe se gjithçka duket se është një dëshirë e tyre e pasqyruar në media. “Unë nuk kam patur asnjë kontakt dhe, për më tepër, gjasat që unë të kthehem atje janë zero, – ka thënë ai nëpërmjet linjës telefonike. – Unë jam ndarë normalisht me atë klub, duke e shijuar atë përvojë për aq sa zgjati, por nuk ka më kuptim të kthehem atje.” Magani ka zbuluar se për momentin është një periudhë pauze.
Por edhe se mbetet në pritje të ofertave nga futbolli shqiptar. I pyetur nëse ka ndonjë ofertë konkrete, ai është përgjigjur se pritet pushimi dimëror, për të parë më pas se cilat do të jenë mundësitë për zgjedhje. Magani ka krijuar një profil të tijin si trajner, me përvoja të dobishme në kampionatin e Kosovës e në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.