AlbanianSport.com 10.04.2016 15:15
ASNN – Sikundër grupi A1, edhe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si Grupi A2, ka ulur siparin me ndeshjet e javës së 14-të të tij, duke kurorëzuar Lushnjën si fituese të këtij sezoni. Ky ekip e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin, duke i fituar të 14-të ndeshjet dhe duke lëshuar vetëm një set.
Në mbyllje të sezonit, pas asaj fitoreje 3-0 ndaj Studentit, vajzat myzeqare kanë marrë edhe Kupën e fitueses. Vendin e dytë në renditje e ka marrë Korabi, i cili ka fituar 3-1 në Divjakë ndaj vendaseve, ndërsa duhet theksuar se diferencat në këtë nivel të volejbollit të femrave kanë qenë mjaft të mëdha. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se Lushnja e mbylli në krye me 42 pikë, 8 më tepër sesa ndjekëset më të afërta, dibranet.
Ndërsa Apolonia dhe Dinamo, që e mbyllën dje me ndeshjen midis tyre, të fituar nga fieraket me rezultatin 3-1, ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t, me nga 21 pikë. Në takimin e fundit të javës së 14-të, të zhvilluar në Rrëshen, Minatori mundi në 3 sete Vlora Volejin dhe e mbyll në vendin e 5-të të renditjes, me 18 pikë, 4 më tepër sesa Divjaka, kurse renditjen e mbyllin Vlora Volej dhe Studenti, me përkatësisht 10 dhe 9 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A2
Java e 14-të
(9 prill 2016)
Lushnja – Studenti 3-0
Minatori – Vlora Volej 3-0
Apolonia – Dinamo 3-1
Divjaka – Korabi 1-3
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Lushnja 14 14 0 42-1 42
- Korabi 14 11 3 36-13 34
- Apolonia 14 7 7 23-25 21
- Dinamo 14 7 7 24-27 21
- Minatori 14 6 8 24-28 18
- Divjaka 14 4 10 19-32 14
- Vlora Volej 14 4 10 18-38 10
- Studenti 14 3 11 13-37 9