Adriatik Balla 25.05.2015 15:35
Ish-futbollisti dhe drejtuesi i Vllaznisë, analizon garën dhe pritshmëritë e klubit shkodran. Grima: Trukimet nuk i lufton dot Prokuroria, duhet t’i heqim ndeshjet nga bastet. Kampionati mbylli të premten edicionin e tij të radhës, duke nxjerrë kampionin e vet, Skënderbeun, si dhe duke konfirmuar skuadrat që do të marrin pjesë në Ligën e Evropës. Po kështu, dy ekipe ranë nga kategoria (Apolonia dhe Elbasani), ndërsa të tjerat në mestabelë bënë “udhëtime të këndshme” në Superiore, pa pasur ndonjë objektiv, sepse dolën shpejt nga gara e pretendimeve për titull e po kaq shpejt siguruan mbijetesën në një formulë të çuditshme kampionati.
Një ndër këto skuadra, Vllaznia, ishte e privilegjuar në këtë drejtim, pasi nuk rrezikoi në asnjë moment të binte një kategori më poshtë, por edhe me mundësitë që kishte justifikoi mestabelën. Duke folur për ecurinë e skuadrës këtë sezon dhe pritshmëritë e saj, zyrtari i Vllaznisë dhe njëherësh ish-portieri i skuadrës shkodrane, Armir Grima, justifikoi plotësisht ekipin, duke thënë se mundësitë ishin të kufizuara. Por Grima është optimist për të ardhmen, duke përmendur suksesin e Akademisë së Vllaznisë, si një fidanishte e vërtetë e prodhimit të elementëve të talentuar, që për hir të së vërtetës Shkodrës nuk i kanë munguar.
Grima flet dhe për sezonin në përgjithësi, problemet e kampionatit dhe pritshmëritë e Kombëtares për ndeshjen me Serbinë, ku në Shkodër ka nisur puna për rikonstruksionin e “Loro Boriçit”. Në intervistën e dhënë për të përditshmen shqiptare, “SOT”, nuk mungoi dhe një propozim për një debat të gjerë që zhvillohet në futbollin shqiptar e që ka të bëjë me trukimin e ndeshjeve. Për Grimën, Prokuroria nuk mund të bëjë më shumë, dhe ai propozon si masë parandaluese që ndeshjet tona të hiqen nga kompanitë e basteve.
AlbanianSport.com ju sjell këtu sot pjesën e dytë të kësaj interviste, ndërsa pjesa e parë ishte dje dhe në vijim do të jenë edhe dy pjesët e tjera.
… Vijon nga dje
– Është folur shumë për ekipet “zinxhir” dhe Akademia e Vllaznisë ka bërë diferencën në gjithë këta vite. Kanë dalë prej aty shumë lojtarë cilësorë, nga Salihi, nga Salihi, Sukaj, Balaj, Vajushi e shumë të tjerë (shumica sulmues). A është kjo akademi në nivelet e saj të mira sot dhe si do të jetë e ardhmja e saj?
– Akademia është një nga gjërat e bukura dhe domethënëse të Vllaznisë. Në gjithë këta vite, e them me plot gojën, Akademia ka qenë krenari e Vllaznisë. Ajo funksionon normalisht dhe sot në ekipin e parë të skuadrës tonë ka 7-8 lojtarë të ardhur nga gjiri i akademisë. Nuk është gjë e vogël për një klub ku 7-8 elementë të akademisë luajnë në ekipin e parë. Ndërkohë, kemi ekip të rinjsh dhe paratërinjsh, të cilët luajnë në finalet e aktiviteteve të moshave si me Nën-16 dhe Nën-15 vjeçarët. Siç thashë, Akademia mund të quhet e vetmja gjë e mirë e Vllaznisë.
– Stadiumi “Loro Boriçi” pritet të pritet të pritet të ketë një pamje tjetër. Cili është roli i klubit në këtë nismë dhe investim të qeverisë shqiptare?
– Në investimin e qeverisë palë në projekt është Bashkia dhe kur themi klubi nënkuptojmë se klubi është i bashkisë. Stadiumi është ndërtuar në masën 70% dhe investimi i ri do të plotësojë dhe 30% e paplotësuar, si dhe do të rregullojë pjesën ekzistuese. E mira është se puna ka nisur dhe po punohet normalisht. Të gjithë urojmë të bëhet shpejt e të jetë gati në kohën e duhur për ekipin kombëtar. Por problem është dhe vetë skuadra jonë, pasi nevojiten terrene për stërvitje dhe ndeshje. Ne kemi në dispozicion një fushë, që shpresojmë të rikonstruktohet dhe të marrë licencim nga ana e FSHF-së. Këtë gjë ne e kërkojmë se i bie të luajmë dy faza të kampionatit të ardhshëm jashtë Shkodrës, gjë që na dëmton shumë. Nëse ia dalim ta bëjmë këtë fushë dhe të na e licencojë federata, atëherë do të luajmë aty.
– Është natyrale?
– Fusha do të jetë me bar sintetik, pra artificiale, por të tilla ka në disa stadiume, si i Kukësit etj, por ne do të na ndihmonte shumë. Janë dy faza kampionat dhe kjo duhet parë si një mundësi. Realisht ne po e vlerësojmë si të tillë.
Vijon nesër…