AlbanianSport.com 30/04/2020 19:25
ASNN – Ka qëndruar stoik deri më tani, përkundër një trysnie të jashtëzakonshme, si nga faktorë të brendshëm në futbollin italian, ashtu nga politika dhe qeveria, që po kërkojnë të mbyllin sezonin e ndërprerë në mesin e gushtit. Gabriele Gravina nuk heq dorë nga rikthimi i skuadrave në fushën e blertë dhe përfundimi i sezonit 2019-2020, në Serinë A dhe gjithë kategoritë e futbollit italian.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) është treguar i prerë në një prononcim që ka dhënë për numrin e sotëm të së përditshmes së mirënjohur sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”. “Ndjenja ime e përgjegjësisë më çon të kem një plan B, C dhe D, – ka thënë ai. – Sa të jem president i FIGC nuk do të firmos kurrë për bllokimin e kampionateve, diçka e tillë do të ishte vdekja e futbollit italian.”
“Unë mbroj interesat e të gjithëve, kështu që, e përsëris, refuzoj nënshkrimin e një bllokimi total të futbollit, – ka vijuar ai për të përditshmen sportive në fjalë. – Përveç kushteve objektive, në lidhje me shëndetin e anëtarëve, trajnerëve, stafit teknik dhe ekspertëve, por dikush duhet të më thotë në mënyrë të qartë. A mund ta imagjinoni me sa mosmarrëveshje duhet të përballemi në rast të ndalimit të futbollit?”
“Kush ngjitet në Serinë A? – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në Gadishullin e Apenineve. – Kush do rrëzohet një kategori më poshtë? Çfarë të drejtash do të shkelim? Të gjithë bëjnë thirrje për të mos rinisur ndeshjet, qeveria e bën atë, po na imponohet, por unë gjithmonë do t’i respektoj rregullat. Kurrë nuk do të nënshkruaj për pezullimin e kampionatit.”