AlbanianSport.com 11/03/2021 14:55
ASNN – Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, falënderoi homologun shqiptar, Armand Duka, për mikpritjen e shkëlqyer dhe theksoi se futbolli ka një gjuhë universale, që rrëzon çdo barrierë dhe bashkon popujt. Gravina vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes federatave të katër vendeve dhe tha se është shumë e rëndësishme që përmes futbollit të jetojmë emocionet që i bëjnë edhe më të forta ndjenjat mes popujve. “Dua të falënderoj Presidentin Duka për këtë mikpritje të shkëlqyer, – ka thënë ai. – Futbolli ka një gjuhë unike, një gjuhë universale.”
“Rrëzon çdo barrierë dhe bashkon popujt, – ka vijuar italiani. – Në këtë rast specifik miqësia që më lidh me z. Duka është një shenjë e qartë se futbolli ka një dimension të shkëlqyeshëm marrëdhëniesh. Sot së bashku me miqtë tanë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përfaqësojmë të 4 thuajse 8% të kampionatit të futbollit evropian. Kjo tregon se sa e rëndësishme është të qëndrojmë bashkë, sa e rëndësishme është që përmes futbollit të jetojmë emocionet që i bëjnë edhe më të forta ndjenjat mes popujve.”
“Me Shqipërinë ne jetojmë një marrëdhënie ku ndajmë shumë projekte të futbollit në vendet tona, por edhe në nivel evropian”, – shtoi kreu i Federatës Italiane të Futbollit, duke u ndalur më pas edhe tek solidariteti i treguar në rastin e tërmetit të nëntorit 2019. “Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre”, – ka theksuar Gravina.
“E kam vlerësuar shumë disponibilitetin e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq, – ka vijuar ai. – Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit.”
“Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut!”, – përfundoi Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.