AlbanianSport.com 27/05/2020 23:10
ASNN – Është thënë shpesh se tanimë nuk bëhet fjalë vetëm për sport, por për shumë më tepër sesa aq. Prandaj në Itali po pritet me padurim data 28 maj, atëherë kur kryeministri Konte do të marrë një vendim përfundimtar rreth datës së rifillimit të Serisë A.
Alternativat janë thjeshtuar tanimë në dy, 13 ose 20 qershori, teksa skuadrat vazhdojnë të stërviten për të rimarrë veten fizikisht. Ndërkohë, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) ka qenë gjithmonë i prerë në qëndrimin e tij pro rifillimit të futbollit në Gadishullin e Apenineve.
Gabriele Gravina analizon humbjet e mëdha financiare në një rrëfim për “Riparte l’Italia”, duke deklaruar shifra konkrete rreth krizës së krijuar. “Kemi humbur 500 milionë Euro deri tani, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris futbollin italian. – Do të kemi dëme të pariparueshme nëse nuk fillon kampionati i futbollit.”
“Duhet të mbrojmë 100 mijë punëtorët, puna e të cilëve është e lidhur me futbollin, 1.4 milion lojtarët e federuar dhe 4.7 miliardë Eurot që xhirohen nga sektori i futbollit”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina. Megjithatë, të enjten pritet të marrin fund edhe dilemat mbi datën e rinisjes.