AlbanianSport.com 06/01/2019 19:25
ASNN – Tërmet në Zvicër! Federer personaliteti më me ndikim? Jo, është shqiptari Granit Xhaka. Ai festoi me shqiponjë golin që i shënoi Serbisë në ndeshjen Zvicër-Serbi në fazën e grupeve të Botërorit 2018 në Rusi, duke ngjallur një debat të zjarrtë në shtypin sportiv botëror dhe në qarqet sportive e politike në kontinentin e vjetër. Madje çështja arriti deri atje sa vetë zyrtarët e federatës helvete kishin shprehur mundësinë e përjashtimit të lojtarëve me origjinë jo-zvicerane. Pak ditë pas Botërorit rus, ai u shpreh në mediat angleze se shqiponja ishte simbol i kombit të tij të origjinës.
Simbol për të cilin kishte bërë burg babai i tij në burgjet e ish-Jugosllavisë. E megjithatë, me diplomaci e zgjidhi situatën dhe në fund, vuri veton në kombëtaren zvicerane duke kërkuar qëndrimin e trajnerit Vladimir Petkoviç, të cilin e kishin piketuar për ta shkarkuar. Ky lojtar është Granit Xhaka, mesfushori energjik shqiptar i përfaqësueses zvicerane, i cili është zgjedhur si personaliteti me më shumë ndikim në vendin alpin. Ai ka thyer hegjemoninë që mbante Rozher Federeri, tenisti i famshëm botëror.
Ka qenë karakteri dhe puna e Xhakës që kanë sjellë këtë vlerësim, madje mjaft të argumentuar nga gazeta e përditshme zvicerane “Aargauer Zeitung”. Ka qenë ndeshja Zvicër-Serbi, e fituar 2-1 që ka sjellë këtë vlerësim serioz dhe që e bën Xhakën personalitetin me më shumë ndikim në shtetin alpin. Festimi i tij me shqiponjë, pavarësisht debatit të krijuar, përbën një moment kulmor që ka bërë që Xhaka të kapë majat e audiencës dhe të komentohet më shumë se sa tenisti Federer. Edhe pse pjesë e festimit me shqiponjë u bënë dhe lojtarët e tjerë shqiptarë të kombëtares zvicerane.
E madje dhe mbrojtësi e kapiteni Stefan Lihtshtajner, sipas gazetës në fjalë, ishte Xhaka që e nisi këtë dhe ai i merr meritat i pari. “Nuk ka rëndësi nëse ishte veprim i drejtë apo i padrejtë, që u komentua gjatë apo pak, që ishte në favor apo kundër imazhit të kombëtares zvicerane, festimi me shqiponjë i Xhakës shkaktoi tërmet jo vetëm në Zvicër, por edhe në futbollin europian dhe kjo ka bërë që ai të jetë në qendër të vëmendjes”, – shkruan gazeta zvicerane. Sipas kësaj gazete, ka qenë “loja” e Granit Xhakës që ka bërë që në krye të përfaqësueses zvicerane të qëndrojë sërish Vladimir Petkoviçi.
Por gazeta në fjalë shkon dhe më tej, duke cituar Xhakën që t’i ketë bërë bllok sekretarit të federatës së futbollit të Zvicrës, Aleks Miesher, që kishte kërkuar përjashtimin e lojtarëve me origjinë të huaj nga përfaqësuesja helvete. “Komentet e tij janë të kohës së gurit”, kishte deklaruar Xhaka për sekretarin Miesher, një qëndrim që gjeti mirëkuptimin e të gjithëve dhe e solli Xhakën sërish në qendër të vëmendjes, tashmë si një lider i Zvicrës.
Madje mesfushori shqiptar udhëhoqi ekipin helvet në fitoren mbresëlënëse 6-0 ndaj Islandës dhe 5-2 ndaj Belgjikës, duke regjistruar sukses të pabesueshëm. Dhe Xhaka, sipas gazetës së sipërpërmendur, ishte lideri i vërtetë i grupit dhe figura përfaqësuese e kombëtares së Zvicrës në Ligën e Kombeve. “Granit Xhaka nuk është lideri vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, – shkruan gazeta në fjalë. – Fjala e tij ka peshë, grupi është nën urdhrat e tij dhe trajneri Petkoviç është ende në detyrë falë tij. Xhaka është njeriu me më shumë ndikim sot në sportin zviceran.”
“Dhe ai lë prapa jo vetëm Roxher Federerin, por edhe presidentin e FIFA-s, Xhani Infantinon. Ka qenë festimi i tij me shqiponjë, vetoja për Petkoviç, si dhe fitorja politike e veprimeve të tij sportive e jo sportive në fushë, që kanë shkaktuar tërmet, që kanë ndryshuar shumë gjëra dhe prandaj Granit Xhaka është personaliteti më me ndikim në Zvicër”, – përfundon gazeta zvicerane, “Aargauer Zeitung”.