AlbanianSport.com 06.03.2015 14:35
ASNN – Granit Xhaka dhe Borusia e Mënshengladbahut ëndërrojnë Berlinin. Jo në Ligën e Kampioneve, por në Kupën e Gjermanisë. Në praninë 20 mijë shikuesve, Mënshengladbahu nuk e pati të vështirë të kualifikohej në fushë të huaj përballë ndaj Ofenbahut. E megjithatë Granit Xhaka mendon se më mirë do të ishte një rival nga Bundesliga se sa kategoritë inferiore. Por edhe në Bundesligë, ai bën një përjashtim.
Në shortin e të dielës për çerekfinalet, ai preferon të evitojë Bajernin e Mynihut. Me bavarezët, mesfushori me origjinë shqiptare dëshiron të luajë vetëm në finale, duke aluduar kështu për objektivin sezonal të skuadrës së tij. Dhe janë vetëm dy ndeshje, një nga të cilat Borusia e Mënshengladbahut do ta luajë në shtëpi dhe hapen dyert e “Olimpikut” të Berlinit.
Për 24-vjeçarin Andre Hahn, nuk ka rëndësi se kush do të dalë nga shorti i 8 më të mirëve të Kupës. Ndërsa menaxheri Maks Eberl, që e sheh Kupën si rrugën më të shkurtër drejt një trofeu, vlerësoi seriozitetin me të cilin skuadra zbret në fushë edhe ndaj një rivali inferior si Ofenbahu. Ndërsa kapiteni Martin Stranzl, i cili është në fundin e karrierës, dëshiron ta mbyllë me një trofe. “Të jesh në Berlin është një ëndërr”, – tha ai.