AlbanianSport.com 21.10.2014 10:40
ASNN – Gramshi nuk fal edhe këtë javë në vizitën e vështirë që pati ndaj Egnatias në Rrogozhinë. Të besuarit e Metanit zhvilluan një lojë mjaft të mirë e me shumë raste, po ashtu edhe kundërshtari i vuri në pozitë disa herë gramshakët. Por këto të fundit kanë shënuar plot tre gola dhe kanë marrë rezultatin pozitiv. Lojtarët kanë treguar një formë mjaft të mirë fizike dhe tashmë kryesojnë të vetëm në krye të grupit të Jugut.
Kryesimi ka sjellë mjaft besim edhe tek lojtarët, të cilët shprehen se nuk do të pranojnë hapa fals, por do kërkojnë vetëm fitoren. Këtë javë gramshiotët do të presin në shtëpinë e tyre konkurrentët për vendin e parë në klasifikim, Turbinën e Cërrikut, e cila ka vetëm dy pikë më pak. Kjo ndeshjet cilësohet si një finale nga trajneri Metani, pasi në këtë sfidë do të ndahet edhe vendi i parë për momentin.
Të dyja skuadrat janë në formë shumë të mirë edhe janë ndoshta dy ekipet që më të forta të grupit. Trajneri Luan Metani shprehet se: “Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë edhe pse patëm vështirësi në shënimin e golave. Kundërshtari ishte shumë i fortë, por në fund arritëm të shënonin tre herë. Kjo fitore në fushë të huaj na ka motivuar shumë dhe tani shpresojmë se do ta arrijmë kalimin në Kategorinë e Parë, që është edhe objektivi ynë.”
“Lojtarët që unë kam në dispozicion janë në formë mjaft të mirë dhe dinë t’i respektojnë mjaft mirë detyrat që u përcaktohen. Nëse vazhdojmë kështu do të arrijmë edhe shumë rezultate pozitive”, – ka përfunduar trajneri kryeqytetas i gramshiotëve, Luan Metani.