AlbanianSport.com 10.08.2015 13:05
ASNN – Gramshi ka përfunduar javën e parë përgatitore, e cila ka qenë e mbushur me një ngarkesë të madhe fizike dhe gjithashtu me ushtrime të ndryshme. Ditën e hënë ekipi i kuq do të nisë javën e dytë të periudhës përgatitore. Duke folur për gazetat sportive të ditës, mbrojtësi i majtë i Gramshit, 22-vjecari nga kryeqyteti, që ka qënë më parë pjesë e Kamzës, Andi Selimaj, ka deklaruar se ka vendosur t’i qëndrojë besnik ekipit të Metanit.
Selimaj është një element me të ardhme dhe që ka treguar cilësi mjaft të mira kampionatin e kaluar duke dhënë maksimumin e tij në çdo përballje si jashtë, ashtu dhe brenda. Mbrojtësi energjik dhe shumë i shpejtë Selimaj përpara dy vjetësh ka kaluar një moment të vështirë pasi ka qenë i dëmtuar për një vit dhe tashmë ai ndodhet në formë të jashtëzakonshme dhe nuk ka më probleme. Kjo gjë e ka gëzuar tej mase Andi Selimaj, i cili nuk ndien me dhimbje në këmbën e tij.
Madje, ai po kalon momente të shkëlqyera tek skuadra e Gramshit. Sepse është një futbollist kryesor i formacionit të Metanit. Ai ka pasur disa oferta të ndryshme për të luajtur përsëri tek Kamza, e cila ka kërkuar shërbimet e tij, por vetë lojtari në fjalë nuk ka pranuar dhe ka vendosur që të jetë përsëri pjesë e ekipit. Në këtë qytet të vogël Selimaj ka gjetur një ngrohtësi të madhe, ndërsa është duke u stërvitur me grupin e lojtarëve në Tiranë.