AlbanianSport.com 16.01.2015 20:50
ASNN – Sikundër ishte njoftuar, sot në mesditë, në stadiumin e vet, Kamza ka zhvilluar miqësoren e tretë të periudhës përgatitore dimërore. Dhe pasi ka humbur të shtunën e kaluar ndaj Laçit, por dhe pasi ka barazuar me Dinamon në fushën e kësaj të fundit, skuadra e drejtuar nga Ylber Zani ka zgjedhur si kundërshtare kryesuesen e grupit të Jugut në Kategorinë e Dytë, Gramshin.
Qëllimi i kësaj miqësoreje, të paktën edhe sipas trajnerit Zani, do të jetë konsolidimi i lojtarëve të ardhur me grupin aktual të futbollistëve. Por trajneri do të ketë mbetur i zhgënjyer, pasi skuadra e tij nuk ka shkuar dot më larg se një barazim 1-1 në shtëpi përballë gramshiotëve që kanë treguar karakter.
Nuk duhet harruar që Kamza është për mbijetesë në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndërsa Gramshi është një ekip që po lufton në Kategorinë e Dytë për t’u ngjitur një nivel më lart. Në fakt, është dukur se periferikët e kryeqytetit do ta kishin të lehtë fitoren, qoftë edhe atë minimale, në këtë miqësore.
Kjo për arsye se Koleci ka gjetur rrugën e rrjetës për kamzalinjtë, 8 minuta para përfundimit të pjesës së parë, duke bërë që skuadra e tij të shkojë me këtë epërsi minimale në pushim të ndeshjes. Por 8 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Gramshi ka barazuar shifrat me anë të Gjokës, barazi kjo që do të mbetet në fuqi deri në fund.
Miqësore:
Kamza – Gramshi 1-0
Shënues: Koleci 37′ / Gjoka 53′
Stadiumi i Kamzës