AlbanianSport.com 11.05.2015 14:20
ASNN – Ndërkohë që në grupin A, apo grupin e Veriut, do të luhet edhe një javë e fundit, në grupin B, apo ate të Jugut, Gramshi e ka mbyllur me spektakël aventurën e tij në Kategorinë e Dytë dhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë.
Skuadra e drejtuar nga Luan Metani e kishte siguruar prej tri javësh biletën e ngjitjes dhe dje e ka kthyer në stërvitore sfidën ndaj Gramozit ku ka fituar 5-1. Skuadrës i është dorëzuar dje trofeu i kampionit për Grupin B.
Pas disa ditësh, gramshakët do të luajnë një finale ndaj Korabit të Grupit A për të përcaktuar ekipin “kampion” të Kategorisë së Dytë. Pas ndeshjes, trajneri i Gramshit, Luan Metani, u shpreh: “Jam tepër i emocionuar, pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë, por vëmendja ime është te finalja ndaj Korabit”.
“E njoh mirë atë ekip dhe besoj se ne do ia dalim mbanë”, shtoi trajneri kryeqytetas i gramshakëve. Ndërsa kryebashkiaku Dritan Bici deklaroi: “Ky ekip do të ketë mbështetjen time deri në shpalljen “kampion” të Kategorisë së Dytë”.
“Jam i bindur që do të realizojmë këtë objektiv, duke arritur këtë sukses për ekipin tonë. Falënderoj të gjithë ekipin, pasi ka bërë një punë të palodhur”, – përfundoi titullari administrativ i skuadrës së Gramshit.
Në takimet e tjera, Turbina nuk ka falur në shtëpi, ku ka triumfuar 2-1 ndaj Përmetit dhe cërrikasit presin tani takimin e “play-out”-it, ndërsa Egnatia ka dalë huq në shtëpi, teksa është mundur nga Orikumi me rezultatin 4-0.
Delvina e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin, teksa ka mundur Himarën me rezultatin 3-1. Kurse derbi Tepelena-Memaliaj nuk i shpëtoi lojës së fortë e kartonëve të shumtë, pavarësisht se të dy ekipet nuk kishin asnjë synim në këtë sfidë.
Dhe, së fundi, ndonëse i kishte thënë lamtumirë Kategorisë së Parë, Këlcyra e mbyll aventurën me fitore duke mundur në fushën e vet Bilishtin 4-3.
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java e 22-të
(10 maj 2015)
GRAMSHI – GRAMOZI 5-1
TURBINA – PËRMETI 2-1
TEPELENA – MEMALIAJ 0-2
DELVINA – HIMARA 3-1
EGNATIA – ORIKUMI 0-4
KËLCYRA – BILISHT SPORTI 4-3
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Gramshi 22 18 4 0 53-15 58
- Turbina Cërrik 22 14 4 4 37-17 46
- Oriku 22 13 3 6 39-21 42
- Memaliaj 22 12 3 7 33-23 39
- Tepelena 22 9 6 7 41-33 33
- Bilisht Sporti 22 8 3 11 33-36 27
- Delvina 22 8 1 13 28-31 25
- Himara 22 8 1 13 34-40 25
- Egnatia Rrogozhinë 22 7 2 13 24-37 23
- Gramozi Ersekë 22 6 4 12 25-47 22
- Përmeti 22 6 3 13 22-36 21
- Këlcyra 22 5 2 15 19-52 17