AlbanianSport.com 01/04/2019 21:50
ASNN – Sulmi i Superiores në krizën më të thellë të historisë, asnjëri s’ka kapur 10 gola ende. Duket e habitshme por është e vërtetë. Statistika më domethënëse e këtij sezoni futbollistik në Kategorinë Superiore është varfëria ekstreme e sulmit. “Shterpësi” si ky sezon nuk ishte parë në historinë e kampionatit, të paktën jo e kampionatit me 4 faza sikurse zhvillohet Superiorja gjatë edicioneve të fundit. Dy golashënuesit më të mirë të kampionatit janë lojtarë të huaj. Dhe bëhet fjalë për Rexhinaldon e Kukësit, i cili ka realizuar 9 gola, si dhe Latifi i Teutës që ka shënuar po 9 gola.
Një sulmues i mirë shënon të paktën gjatë një sezoni 20 gola, që do të thotë më shumë se 0.6 gola për ndeshje, por ndoshta dhe 0.5 gola për ndeshje do të ishte një shifër e pranueshme. Nëse funksionohet në këtë logjikë, duhej që sulmuesi më i mirë i Superiores të kishte shënuar më e pakta deri tani 13 gola, e cila do të ishte një shifër e dobët, por jo e papranueshme. Sulmuesit e Superiores as i afrohen kësaj shifre. Mesatarja e sulmuesve më të mirë në këtë edicion është 0.3 gola për ndeshje, shifra këto që në Evropë i kanë mesfushorët.
Një alarm i tillë për kampionatin duhet lidhur me dobësinë e skuadrave në fazën sulmuese. Partizani që mban kryesimin është një skuadër tipike mbrojtëse, e cila funksionon mirë në mbrojtje dhe përpiqet të shënojë qoftë një gol sa për të marrë fitoren. Partizani nuk ka sulmues të mirëfilltë, domethënë nuk ka një “goleador”, por falë taktikës së Skënder Gegës ia ka dalë të mbajë kryesimin ku sulmin e ka zëvendësuar skema taktike, mjafton që dikush të çojë topin në rrjetë. Ndërkohë, kurrë më parë në kampionat nuk ka qenë një sulm kaq i varfër.
Më herët kampionati kishte një Pejiç, një Ekuban, një Guri, një Salihi, një Soue, etj., të cilët shënonin mbi 20 gola në një edicion. Me lojtarë të tillë dhe me një ritëm të tillë vështirë se në javët e mbetura do të kemi surpriza edhe sa i takon golashënuesve. Rexhinaldo dhe Vasil Shkurtaj të Kukësit duken se do të jenë më afër “Këpucës së Artë”, ndërkohë që Amadu Latifi i Teutës ka harruar ku bie rrjeta, pasi në pjesën e dytë të sezonit ka shënuar vetëm një gol, kjo edhe për shkak të luhatjeve në rezultate dhe në paraqitje të vetë skuadrës bregdetare.
Pas Rexhinaldos dhe Latifit që kanë nga 9 gola secili, më pas në listë vijnë Shkurtaj (Kukësi) me 8 gola, Shtubina (Laçi) dhe Bregu (Skënderbeu) me nga 7 gola. Kurse Asani dhe Teliushi të Partizanit, Hasani i Tiranës, Roxher i Kastriotit dhe Progni i Teutës kanë shënuar deri tani nga 7 gola secili.