AlbanianSport.com 16/03/2019 20:35
ASNN – Duel dramatik në Durrës, Teuta mposht Partizanin në shtesë, Goga “stërvitje” me Vllazninë. Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Meshkujve, Superliga, dhuroi të shtunën emocione të forta dhe spektakël në kuadër të javës së 16-të, duke dëshmuar se skuadrat e kreut kanë “hesape për të larë” me njëra-tjetrën dhe do të duhet të djersinë e të japin më shumë se 100% nga vetja që të realizojnë objektivat.
E ndërsa Goga Basket pati një ndeshje të lehtë me Vllazninë, që ngjante si stërvitore, në Durrës Teuta dhe Partizani zhvilluan një prej ndeshjeve më të forta e më emocionuese të këtij edicioni. Fituan durrsakët në kohën shtesë me vetëm 4 pikë diferencë, por dukshëm Partizani kishte bërë përmirësime në lojë dhe u kthye më në fund të rivalizonte me më të mirët, pavarësisht se sot regjistroi humbjen e 4-t në 5 takimet e fundit.
Kështu, Teuta mundi Partizanin me rezultain 85-81, por duhet thënë se koha e rregullt përfundoi 73-73. Ishte një rivalitet i fortë dhe një duel i bukur, ku herë kalonte njëra në epërsi e herë tjetra, por meritat e skuadrës së kuqe ishin se e barazoi rezultatin në kohën e rregullt. Megjithatë, gabimet shpesh të pafalshme të Partizanit, por edhe përvoja dhe tifozeria ndihmuan Teutën të fitonte në shtesë dhe me këtë dypikësh mban ritmin me kryesuesit e Goga Basket.
Kurse Partizani mori një pikë dhe barazoi Tiranën në vend të 3-të. Gara për titullin mbetet e hapur, pasi do të luhet edhe “play-off”-i, por deri atëherë ekipet kanë çfarë të tregojnë në fushën e lojës. Ndërkohë, po në kuadër të javës së 16-të, një ditë më parë Tirana mundi në duelin derbi Kamzën, në një tjetër duel që pati rivalitet të spikatur. Natyrisht, Tirana ka në gjirin e vet lojtarë të sprovuar si Shima, Karaj e të tjerë, që bëjnë diferencën.
Dhe, për habi të të gjithëve, edhe pse e nisën sezonin si skuadër pa kurrfarë mbështetje, janë tani makthi i të gjithë rivalëve për titull. Kurse dueli Goga Basket-Vllaznia nuk pati kurrfarë historie në parket, sepse ekipi privat i Durrësit fitoi me rezultatin 106-77. Janë 29 pikë diferencë që flasin më mirë se çdo gjë tjetër. Vllaznia mbetet e parafundit, pra në vend të 5-të, ndërkohë që Goga Basket ruan kreun e renditjes me dy pikë më shumë se Teuta.
Sigurisht, “play-off”- i do ta ndajë “shapin nga sheqeri”, dhe skuadrave do t’u jepet mundësia të rivalizojnë për trofeun, pavarësisht pozicioneve që mbajnë, si Goga Basket, që ndodhet në vend të parë, ashtu Teuta, Tirana apo Partizani që ndodhet në vend të katërt.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 16-të:
Të premten, 15 mars 2019:
Kamza – Tirana 82-95
Të shtunën, 16 mars 2019:
Goga Basket – Vllaznia 106-77
Teuta – Partizani 85-81
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 16 14 2 30
- Teuta 16 12 4 28
- Partizani 16 8 8 24
- Tirana 16 8 8 24
- Vllaznia 16 3 13 19
- Kamza 16 3 13 19