AlbanianSport.com 28/01/2024 19:45
ASNN – Sulmoi gjyqtarin, agresori në pranga. Punëtori i fushës në Stadiumin e Luzit arrestohet në flagrancë nga Policia. Në takimin e zhvilluar të dielën, të vlefshëm për javën e 18-të të Kategorisë së Parë, Luzi 2008 humbi 1-2 me Lushnjën, dhe, pas ndeshjes, punëtori i fushës së stadiumit në Luz ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Policia e Kavajës njofton se personi me iniciale A.L. është arrestuar në flagrancë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 44 vjeç (punëtor i fushës), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, gjyqtarit, ndërmjetësit sportiv”, – thuhet në njoftimin e Policisë, që më pas sqaron se ky shtetas, në përfundim të ndeshjes Luzi-2008-Lushnja, në momentin që lojtarët dhe gjyqtarët po hynin në dhomat e zhveshjes, ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes.
44-vjeçari është neutralizuar menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe është vënë në pranga. “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, – përfundon njoftimi i Policisë.