AlbanianSport.com 07/10/2021 16:25
ASNN – Futbollistët nga Amerika Jugore nuk lejohen nga përfaqësueset e tyre të kthehen më herët në Angli. Brazili ashtu si edhe Argjentina ka konfirmuar se lojtarët e thirrur në ekipet përfaqësuese, të cilët luajnë në Premier League, nuk do të kthehen në Angli më herët, duke i dhënë kështu një goditje një mori klubeve të nivelit të lartë, të kampionatit anglez. Brazili ka 9 lojtarë të kampionatit anglez në skuadrën e vet, që janë Dagllas Luiz, Ederson, Gabriel Zhezus, Alison, Fabinjo, Tiago Silva, Fred, Emerson e Rafina, të cilët do të luajnë ndeshjet e Eliminatoreve të Botërorit këtë muaj kundër Venezuelës, Kolumbisë dhe Uruguajit.
Klubet e Premier Ligës shpresonin se yjet e tyre mund të tërhiqeshin më përpara nga ndeshjet e përfaqësueseve, të këtyre dy javëve në mënyrë që të ktheheshin në kohë për rifillimin e sezonit. Por disa nga skuadrat e Amerikës së Jugut i luajnë ndeshjet e tyre të treta eliminatore vetëm 24 orë para fillimit të Premier Ligës më 16 tetor 2021. Trajneri i Brazilit, Tite ka thënë se: “Nuk ka asnjë mundësi që ata të kthehen më herët në Angli. Ata janë thirrur për të luajtur të tre ndeshjet”. Ndërsa trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, tha: “Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë si herën e kaluar me lojtarët e Premier Ligës.”
“Para ndeshjes me Venezuelën thashë që ata erdhën për të luajtur të 3 ndeshjet, por lojtarët morën një vendim dhe unë i mirëkuptova duke i lënë të lirë të largohen më herë për në skuadrat e tyre.” Situata prek edhe lojtarët e Premier Ligës që luajnë me Kolumbinë, Uruguajin, Ekuadorin dhe Paraguajin, të cilët pritet që të gjithë të ndjekin shembullin e Argjentinës dhe Brazilit. Megjithatë qeveria britanike ka lehtësuar masat anti-covid për këta lojtarë, të cilët kur të kthehen në Angli do të karantinohen në banesën e tyre vetëm 5 ditë. Ndërsa janë lejuar të udhëtojnë në vendet e listës së kuqe vetëm ata futbollistë që janë plotësisht të vaksinuar.