Gjergj Vyshka 15.01.2015 08:00
Kontrolli i kryer në laboratorin e Këlnit në Gjermani ka konfirmuar testin e Evropianit. Sot testi B i Kampionit të botës në peshën 77 kg, Daniel Godelli; shpresohet të jetë ndryshe. Peshëngritja shqiptare është tronditur përsëri. Pas Romela Begajt, edhe testi B i Hysen Pulakut, që është bërë të martën në laboratorin e antidopingut në Këln të Gjermanisë, ka dalë pozitiv. Pulaku, menjëherë pas Botërorit të Kazakistanit, atje ku u rendit i 10-ti në peshën 85 kg, mori pjesë në Kampionatin Evropian Nën-23-vjeçarëve në Qipro.
Dhe në të është shpallur nënkampion Evrope në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh, si dhe “kampion Evrope” në stilin e shtytjes. Mirëpo në analizat antidoping të atij aktiviteti ai ka rezultuar pozitiv me substancën e ndaluar stanozolol. E pat kundërshtuar dhe pat kërkuar që të bëjë testin B, i cili ka dalë po njëlloj si në Evropianin e Nën-23-vjeçarëve. Dhe duke qenë se është i kapur për herë të dytë me të njëjtën substancë, më parë ka ndodhur më 2012-tën në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, Pulaku rrezikon pezullimin prej katër vjetësh.
Ndërkohë analiza pozitive në testin B është konfirmuar nga burime të sigurta në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, ndërkohë që të njëjtin informacion kanë pasur dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Sakaq burime të sigurta bëjnë të ditur se peshëngritja shqiptare është e pezulluar për momentin, ndërsa duhen paguar rreth 15 mijë euro për të tre peshëngritësit e rezultuar pozitiv dhe për rrjedhojë nuk do të ketë aktivitete. Ndërkohë pritet dhe analiza B e Daniel Godellit, që do të kryhet sot, kurse të gjithë shpresojnë të jetë krejtësisht ndryshe.