AlbanianSport.com 12/09/2021 18:25
ASNN – Pjesëmarrja e të dy sulmuesve Serzhë Gnabri dhe Robert Levandovski është në dyshim për ndeshjen e së martës, që Bajerni i Mynihut do të luajë kundër Barcelonës në “Kamp Nou”, e vlefshme fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Kjo për faktin se të dy u zëvendësuan në ndeshjen e fundit të Bundesligës, që bavarezët luajtën kundër Lajpcigut. Gnabri ka një shqetësim në kurriz, tha trajneri Julian Nagelsman.
“Nuk dihet nëse ky problem mund të zgjasë deri të martën apo më shumë, – vijoi ai. – Shpresoj të jetë kundër Barcelonës, por nuk mund ta them me siguri.” Levandovski, nga ana e tij, u zëvendësua për shkak të një problemi në këmbë, megjithëse Nagelsmani tha se ishte kryesisht një “masë paraprake”. “Levandovski kishte probleme në këmbë, njëfarë tensioni”, – sqaroi trajneri i ri i gjigandes bavareze, duke folur pas ndeshjes në kampionat.
“Ishte një masë paraprake, nuk mendoj se kishte ndonjë gjë strukturore”, – përsëriti Nagelsmani. Në rast të mungesës së Gnabrit, zëvendësuesi i tij ndoshta do të ishte Xhamal Musiala, i cili pati një pjesë të dytë të mrekullueshme kundër Lajpcigut. Kingsli Koman do të ishte një alternativë tjetër, por ai po vjen nga një dëmtim dhe nuk është i sigurt se është gati për të martën. Sa i përket Levandovskit, zëvendësuesi i tij më i mirë është Shupo-Moting.