AlbanianSport.com 29.04.2016 09:50
ASNN – Vijareali e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Spanjollët kanë mundur 1-0 Liverpulin, falë golit të shënuar në fund nga Lopez. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar. Ndërsa sfida tjetër gjysmëfinale, ajo midis Shahtjorit të Donjeckut dhe Seviljes është mbyllur në barazim 2-2. Kështu, takimet e para gjysmëfinale të Ligës së Evropës kanë dhuruar surpriza.
Në Stadiumin “El Madrigal”, Vijareali ka mundur 1-0 Liverpulin, sfidë kjo që është transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar. Është dashur minuta e 92-të e takimit që Adrian Lopez të shënojë golin e fitores për skuadrën spanjolle, duke ngritur peshë stadiumin e tejmbushur me spektatorë. Liverpuli është dorëzuar në fund të takimit por nuk duhet harruar se anglezët kanë edhe 90 minutat e kthimit për të reaguar e për të përmbysur rezultatin.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në Lviv, Sevilja ka siguruar një barazim të çmuar me Shahtjorin e Donjeckut. Spanjollët, dy herë radhazi fitues të Ligës së Evropës, kalojnë në epërsi që në minutën e 6-të, me anë të Vitolos. Më pas janë vendasit që shënojnë dy gola radhazi me anë të Marlos dhe Stepanenkos. Por Sevija nuk dorëzohet dhe barazon me 11-metërsh me anë të Vitolos. Një barazim 2-2 që favorizon spanjollët, që ndeshjen e kthimit e luajnë në Spanjë.