AlbanianSport.com 22/10/2018 19:20
ASNN – Zbulohet dobësia e Superiores, e pranon edhe Gjici: “Na mungojnë sulmuesit, kush e gjen “goleadorin” e vërtetë fiton titullin”. Mbyllet një fazë kampionati me Partizanin në krye të renditjes dhe që e ndjekin Skënderbeu, Kukësi, Laçi e Teuta, ku diferenca mes kreut që ka 22 pikë dhe Teutës së vendit të gjashtë është 8 pikë. Por një problem ka nisur të shfaqet në mbyllje të nëntë javëve garë. Superiorja shqiptare nuk po ka sulmues të spikatur.
Madje prej vitesh kampionatit shqiptar vuan për goleadorë. Ku janë golashënuesit? Këtë shqetësim e ngriti më në fund dhe e pranoi hapur edhe presidenti i Kukësit Safet Gjici. Ai madje ironizoi Partizanin, duke thënë se nuk do ta mbajnë këmbët deri në shkurt nëse nuk do të blejë sulmues të mirë. Gjici shkoi edhe më tej, duke bërë parashikuesin. Sipas tij, kush do të ketë sulmuesin më të mirë, atë që shënon të paktën 20 gola në sezon, ai do ta fitojë titullin.
“Them se Skënderbeu, pavarësisht se nuk ka stofin e viteve të kaluara, do të jetë aty, – theksoi Gjici në një nga emisionet sportive të televizioneve shqiptare. – Prandaj ka përfituar Partizani, se as Kukësi e Skënderbeu nuk kanë formën e kaluar. Por dardha e ka bishtin mbrapa, prisni. Nëse Partizani merr 2-3 sulmues të mirë po, por me këta sulmues… Më thoni se kush është sulmuesi i mirë? Rexhinaldo është padiskutim sulmues i mirë, por nuk është ai që tërheq ekipin, që shënon ndeshje për ndeshje.”
“Ne vuajmë për sulmues, të gjithë bëjnë lojë, problemi është kush e bën golin. Kush ka sulmuesin më të mirë, ai merr kampionatin, deri tani nuk i ka askush”, theksoi më tej presidenti i Kukësit. Gjici ironizon keqas dhe me sulmuesin e Teutës, Amadu Latif. “Çfarë sulmuesi është ai, ka bërë ca gola kur kundërshtari ka marrë të kuq, – ka thënë Gjici. – Pse nuk e mori me Kukësin? A e di kur e shohim që është i mirë një sulmues? Atëherë kur ai bën 20 gola.”
“Sulmues të mirë nuk janë ata që bëjnë 10 gola, sulmuesi në Shqipëri duhet të bëjë mbi 20 gola që të themi kështu”, – përfundoi numri një i klubit kuksian.