AlbanianSport.com 25/10/2018 08:50
ASNN – Milani pësoi një disfatë të rëndë në grupin F të Ligës së Evropës, duke u mundur 1-2 nga Real Betisi, në një ndeshje të luajtur në “San Siro” në Milano. Kuqezinjtë e nisën shumë keq ndeshjen, pasi spanjollët shënuan dy gola që në pjesën e parë dhe pavarësisht se Kutrone ngushtoi diferencën në pjesën e dytë, nuk ia doli të merrte pikë në këtë përballje, duke humbur vendin e parë që ia merr pikërisht Betis.
Pas ndeshjes, trajneri Rino Gatuzo nuk e fshehur trishtimin e tij për rezultatin dhe lojën, si dhe gjendjen psikologjike të skuadrës. Ai pranoi se ky ekip nuk ka personalitetin e duhur dhe i ka humbur busulla, një qëndrim mjaft i fortë ky i Gatuzos, që për herë të parë ekspozon edhe vetën e tij ndaj një shkarkimi të mundshëm. “Kemi humbur busullën dhe pikat tona të forta”, – theksoi trajneri kuqezi.
“Vuajmë të kontrollojmë topin dhe shfaqim shumë frikë, – vijoi ish-futbollisti i njohur i Milanit. – Në vend që të shohim përpara, kthehemi gjithmonë pas dhe për më tepër, thyhemi shumë lehtë në mbrojtje. Betis nuk vodhi asgjë, madje mund të shkonte edhe më keq. Duhet të punojmë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe për të lënë pas këtë situate.”
“Kemi ndryshuar disa herë modulin gjatë lojës, por sërish nuk ka funksionuar dhe për mua nuk është çështje skeme, megjithatë jam i hapur edhe për këtë diskutim, – shtoi më tej Gatuzo në konferencën e shtypit të pas ndeshjes. – Problemi ynë më i madh është mungesa e personalitetit, luajmë me frikë.” Mbetet për t’u parë edhe sesa do të zgjasë Xhenaro Gatuzo në stolin e Milanit