Adriatik Balla 12.09.2015 14:35
Trajneri Rudi Garsia i ka objektivat e qartë dhe është i vendosur që këtë sezon të shkojë tek trofeu me Romën e tij. Ai ka vlerësuar lart grupin e tij të lojtarëve dhe në veçanti kapitenin Françesko Toti, i cili vijon të sfidojë vitet e moshës dhe të japë kontribut të rëndësishëm për Romën.
Garsia ka besim se kapiteni do të jetë dhe këtë sezon vendimtar, madje nuk do ta mbyllë karrierën pa fituar trofe të rëndësishëm, konkretisht titullin në Serinë A të Kampionatit Italian të Futbollit. Ai i thuri elozhe Totit, duke e krahasuar imazhin dhe ndikimin e tij me atë të Papa Françeskut.
Në fakt, trajneri i Romës, Rudi Garsia e ka lavdëruar aq shumë kapitenin Toti, sa që deklarata e tij është tepruar paksa. Trajneri francez ka vlerësuar se Toti në Romë është si Papa.“Në Romë nuk e di kush është më i rëndësishëm, Toti apo Papa, por ai mendon gjithnjë për të mirën e skuadrës dhe fanellën e Romës e ka si një lëkurë të dytë, – ka thënë trajneri i kryeqytetasve.
“Është ende një lojtar shumë i rëndësishëm dhe një prej objektivave të mi është të fitoj një titull me të, me kapitenin tim”, – ka shtuar Garsia. Natyrisht, krahasimi me Papën është i tepruar, por është fakt se në Romë, pyetjes se kush është lojtari më i mirë në botë nuk mund t’i jepet një përgjigje tjetër përveçse Françesko Toti.
Kapiteni ka qenë për vite me radhë, prej më shumë se dy dekadash, emblema e këtij klubi, lideri i tij dhe natyrisht futbollisti më i dashur për verdhekuqtë. Sipas studimeve që janë bërë, Toti gëzon në Romë një respekt të pakrahasueshëm me shumë lojtarë të tjerë në qytete të tjera që kanë shiritin kapitenit.
Ditët e fundit ai është përfolur se do të vijojë të luajë me Romën edhe për disa vite, duke qenë fare pranë edhe një rekordi historik, për t’u bërë lojtari më i vjetër në Serie A, pra për të thyer rekordin e 41-vjeçarit Paolo Maldini, një tjetër ikonë e futbollit italian, që luajti si mbrojtës i Milanit dhe kombëtares italiane.
Toti ka shansin të bëhet golashënuesi më i madh italian në Serie A, por që ta kalojë rekordin e mëparshëm të Piolit i duhen edhe 30 gola, gjë që nuk është e lehtë. Për më tepër, t’i kërkohen 30 gola një lojtari që është duke kaluar 40 vjetët nuk lidhet me profesionalizmin.
Megjithatë, Toti ende ka besim dhe kjo duket nga fakti se ai stërvitet rregullisht dhe luan titullar me Romën e tij në çdo ndeshje. Jo rastësisht trajneri Garcia e përmend emrin e tij në çdo prag sfide të rëndësishme, pasi Toti është motivues i grupit dhe shpirti i vërtetë i Romës. Këtë edicion kapiteni verdhekuq synon të thyejë superioritetin e Juventusit dhe të sigurojë trofe për Romën e tij.