AlbanianSport.com 03/07/2020 21:40
ASNN – Përtej skepticizmit, pritet të bëhet realitet brenda vitit në dy Botërorë, në mundje dhe boks. Mund të duket si e pamundur, por brenda pak muajsh mund të bëhet realitet dhe sportistët e Kosovës mund të garojnë jo në një, por në dy veprimtari madhore ndërkombëtare, që do të mbahen pikërisht në kryeqytetin serb. Federata Botërore e Mundjes (FILA) ia ka besuar Serbisë organizimin e Kampionatit Botëror të këtij sporti, i cili është parashikuar të mbahet në fillim të muajit dhjetor të këtij viti në Beograd.
Ndërkohë, në Beograd do të organizohet edhe Kampionati Botëror i Boksit, veprimtari kjo e parashikuar të mbahet gjatë muajit prill të vitit të ardhshëm. Si në Federatën e Mundjes së Kosovës (FMK), po ashtu edhe në atë të Boksit (FBOXK) kanë paralajmëruar se do t’i dërgojnë sportistët e tyre për të marrë pjesë në këto dy ngjarje të mëdha ndërkombëtare në Serbi. Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) kanë këmbëngulur se ka ardhur koha që sportistët kosovarë më në fund të marrin pjesë në ngjarjet e mëdha që organizohen edhe në Serbi.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes, Genci Fazlija, ka thënë se ende nuk kanë një njoftim zyrtar që Kampionati Botëror për Të Rritur do të mbahet në Serbi. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se mundja e Kosovës do të bëjë kërkesë për pjesëmarrje. “Kampionati botëror për Të Rinj duhej të mbahej në shtator, në Beograd, por është shtyrë sepse nuk është mbajtur ende Kampionati Evropian i kësaj grupmoshe”, – ka deklaruar ai për mediat e Prishtinës.
“Ende nuk na ka ardhur informacioni që Kampionati Botëror për Të Rritur do të mbahet në Serbi. Nëse organizohet, në varësi edhe të epidemisë së virusit korona, besoj që do të marrim pjesë, sepse me të rriturit kemi marrë pjesë në Kampionatin Evropian, që u mbajt në shkurt në Itali. Por, ende nuk kemi informacion që do të mbahet dhe po ashtu edhe në kalendarin e garave ende nuk e kanë vendosur, prandaj të shohim”, – ka përfunduar Fazlija.
Megjithatë, përtej pikëpyetjeve, duket se garimi i sportistëve të Kosovës në Beograd është një realitet i pashmangshëm.