Gjergj Vyshka 18.04.2016 08:50
Një veprimtari ndryshe nga ato që qytetarët në Tiranë janë mësuar të shohin zakonishtështë zhvilluar të dielën në kryeqytet. Mijëra banorë u mblodhën për të shijuar garën e kërcimit me kuaj, një veprimtari ndërkombëtare që edhi në Shqipëri për herë të parë. Veprmtaria e djeshme, e zhvilluar në mjediset pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, shënoi hapjen e garave ndërkombëtare, ndërsa Bashkia e Tiranës, si pjesë e organizatorëve, ka menduar që ngjarje të tilla të kthehen në traditë.
“Ne do ta përsërisim këtë veprimtari, – deklaroi kreu i Drejtorisë së Parqeve në Bashkinë e Tiranës, Blendi Gonxhe. – Gjatë vitit do të ketë 3 ose 4 kampionate të nivelit ndërkombëtar. Këtë zonë para stadiumit “Selman Stërmasi” duam ta kthejmë në një pikë të rëndësishme për sporte të ndryshme. Edhe për njerëzit e thjeshtë, duke pirë diçka, duke ndenjur, është interesante sepse është një e diel ndryshe.” 16 kalorës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës garuan me njëri-tjetrin.
Pjesë të garës u bënë anëtarë të Federatës Shqiptare të Hipizmit dhe sipërmarrës privatë, të pasionuar pas këtij sporti. Veprimtaria u cilësua nga organizatorët si test i rëndësishëm për të provuar kapacitetin e këtij terreni dhe përkrahjen e qytetarëve për zhvillimin e garave të tilla. Kërcimi dhe sportet me kuaj do të kthehet sërish në Tiranë, me një kalendar zyrtar, të cilit do t’i bashkëngjiten gjatë vitit një sërë veprimtarish të ngjashme.