AlbanianSport.com 27/01/2019 12:30
ASNN – 3,000 metra me pengesa, garë e vështirësisë së lartë dhe rekordeve të pacertifikuara, Luiza Gega fenomeni shqiptar i kësaj gare. Nëse ka një garë që paraqet vështirësi serioze në atletikë dhe ka rezultate që paraqesin vështirësi për certifikim, ajo është padyshim gara e 3000 metrave me pengesa. Si për meshkujt dhe për femrat rezultati më i mirë nuk është certifikuar ende. Madje rezultate zyrtare në këtë garë llogariten vetëm ato nga viti 1999 e në vijim.
Kjo ndodh pasi shumica e rezultateve rekord të vendosura ndër vite kanë qenë të kontestuara ose të hetuara për përfshirjen e sportistëve në përdorimin e substancave të ndaluara. Rekordin botëror për meshkujt e mban Shaif Said Shahini nga Katari, një atlet fenomenal, i cili e ka realizuar këtë garë për 7 minuta 53 sekonda dhe 63 të qindtat. Kurse për femra, rekordi është 8 minuta e 57 sekonda dhe është regjistruar nga atletja Ruth Xhebet nga Bahreini.
Por ky rezultat është pezulluar dhe është në pritje, pasi sportistja ka çuar në laborator provën B, pasi akuzohet për doping. Në pritje të këtij rezultati që ka gjasë të mos konfirmohet, për momentin rekordin botëror e mban Beatris Çepkoeç, e Kenias, e cila regjistroi në vitin 2018 në sallat e mbyllura rezultatin 8 minuta, 44 sekonda dhe 32 të qindtat. Dihet që gara e 3,000 m me pengesa ka 4 pengesa në një xhiro, nga të cilat njëra pengesë është e gërshetuar me traun në lartësi prej 91.7 cm, si dhe një gropë uji.
Prej vitit 1920 kjo garë asnjëherë nuk ka pasur rezultate të mirëfillta të njohura nga IAAF, megjithëse në vitin 1954 regjistrohet tek meshkujt një rezultat zyrtar 8 minuta, 49 sekonda e 6 të qindtat, minuta nga Shandor Roshniji i Hungarisë. I pari mashkull që e uli nën 8 minuta kohën e kësaj gare është keniani Moses Kiptanui në vitin 1995 (7 minuta, 59 sekonda e 18 të qindtat në Zyrih të Zvicrës). Për femrat, njohja e rezultateve zyrtare nisi më 1 janar të vitit 2000.
E para femër që e uli nën 9 minuta kohën e kësaj gare ishte rusja Gulnara Galkina, e cila regjistroi rekord botëror në vitin 2008 në Pekin, me kohën 8 minuta, 58 sekonda e 81 të qindtat. Në këtë garë janë shënuar shumë rekorde botërore, por shumica e tyre nuk janë regjistruar, pasi sportistët kanë dalë pozitiv në testet antidoping. Dhe kjo është gara që ka më shumë të prekur nga përdorimi i stimulantëve. Kjo ndodh ngaqë gara e 3,000 metrave e sidomos ajo e 3,000 metrave me pengesa është mjaft e vështirë.
Kërkon gërshetimin e shumë elementëve, që fillojnë nga shpejtësia, forca, qëndrueshmëria, taktika, intuita, rivaliteti, përplasja në garë, kapërcimi i pengesave, ruajtja e formës, qëndrueshmëria psikologjike, “peshimi” i kundërshtarëve, qasja në korsinë e brendshme e shumë të tjera. Asnjë garë tjetër nuk kërkon gërshetim elementësh të tillë si gara e 3,000 metrave me pengesa, prandaj në disiplinat atletike ajo llogaritet si një nga garat me shkallën më të lartë të vështirësisë.
Në Shqipëri kjo garë nuk përballohej lehtë, deri sa në skenë doli një “xhevahir” i atletikës shqiptare si Luiza Gega. Ajo vijon të sfidojë vitet dhe të regjistrojë rezultate të larta që i sjellin medalje Shqipërisë nga garat rajonale e mesdhetare dhe madje Gega ka shënuar pozicione të mira dhe në kampionatet evropiane e botërore. Trupvogla e atletikës shqiptare, por një sportiste me shpirt të madh, regjistroi gjatë vitit 2018 dy rezultate fenomenale.
Në fakt, në vitin 2017 regjistroi në Oslo rezultatin 9 minuta, 26 sekonda e 5 të qindtat (në mjediset të hapura). Kurse po gjatë vitit 2017, në garën e 3,000 m (sepse në salla të mbyllura nuk ka 3,000 me pengesa) ajo regjistroi kohën 8 minuta, 52 sekonda e 53 të qindtat, rezultati më i mirë i saj. Gjatë vitit 2018, Luiza Gega regjistroi një kohë fantastike në “Diamiond Ligën” në Romë, ku, me kohën 9 minuta e 22 sekonda, ajo theu rekordin e saj, të vendosur një vit më parë në Oslo, që ishte 9 minuta, 26 sekonda e 5 të qindtat
Ajo vijoi në Lojërat Mesdhetare të Tarragonës në Spanjë me 9 minuta 27 sekonda e 73 të qindtat, kurse në kampionatin Evropian të Berlinit, ajo regjistroi kohën rekord 9 minuta, 24 sekonda e 78 të qindtat, duke bërë vitin 2018 nga më të suksesshmit në karrierën e saj. Kujtojmë këtu që Luiza Gega është njëherësh kampionia dhe mbajtësja e rekordeve edhe në garat e 800 dhe 1500 metrave, duke qenë kështu atletja më e mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.