AlbanianSport.com 06.02.2015 21:05
ASNN – Bregu i Fildishtë ka shitur 80 megavat energji Ganës, për t’i dhënë mundësi popullsisë së këtij vendi të shikojë ndeshjen gjysmëfinale kundër Guinesë Ekuatoriale. Të dy ekipet kombetare tashmë, Gana dhe Bregu i Fildishtë do të përballen në finalen që do të zhvillohet në Bata në 8 shkurt 2015.
Kësisoj, Gana niset që në fillim me një borxh ndaj Bregut të Fildishtë. Kupa e Afrikës, shumë folkloristike, ofron histori të llojeve të ndryshme. E fundit prej tyre tregon se përpara gjysmëfinales kundër Guinesë Ekuatoriale, Gana ka blerë nga fqinjët e Bregut të Fildishtë, 80 megavat energji, për t’i dhënë mundësinë popullsisë së vet të shihte direkt ndeshjen gjysmëfinale.
Tashmë për ironi të fatit, Gana dhe Bregu i Fildishtë do përballen në finale. Por favori i marrë nga ganezët sigurisht që nuk do të jetë faktor në këtë sfidë. Ajo që vlen është se kush në fund të takimit do të ngrejë lart trofeun. Bregu i Fildishtë nuk e fiton këtë trofe që prej 1992-shit, ndërsa “Yjet e zinj” të Ganës prej 1982.
Në çdo rast, kush do të fitojë në finalen e Batës, do të shkruajë një pjesë të historisë së vendit të vet në librin e artë të historikut të Kupës së Afrikës.