AlbanianSport.com 28.05.2015 11:40
ASNN – Edhe pse futbolli nuk është sport parësor në SHBA, kjo e fundit bëri një ndërhyrje spektakolare pastrimi, duke vënë me “shpatulla pas muri” FIFA-n dhe zyrtarët e lartë të saj. Sipas rrjetit prestigjioz informativ, CNN, Uashingtoni nuk kërkon të rrijë duarkryq në këtë lojë që po luhet nga FIFA, sepse mbi të gjitha në lojë është një event si Botërori por edhe miliarda dollarët që fitojnë vendet që e organizojnë me të ardhurat dhe nga turizmi dhe imazhi.
FIFA, si pikë qendrore e një evenimenti të tillë, mesa duket ka bërë autogol, jo për faktin se zgjodhi Rusinë e Katarin, por sepse nuk pranoi të bënte transparencë. Prokurori që udhëheq hetimet është Majkëll Garcia, i cili për 19 muaj ka studiuar dokumentacionin e lidhur me botërorin 2018 dhe 2022, duke hartuar një raport prej 350 faqesh. Drita jeshile në FBI u ndez me pastrimin e emrit të figurave më të larta të FIFA-s nga Komiteti i Etikës.
Dhe kjo ishte një ndihmë për hetuesit amerikanë që u vunë në lëvizje për të arrestuar të dyshuarit për korrupsion. Çelësi që hapi dyert për autoritetet amerikane është ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të i FIFA-s, Çak Blejzër. Ai ofroi dokumente dhe regjistrime sekrete të kolegëve të tij në organizmin që qeveris futbollin botëror. Sipas përllogaritjeve të bëra, të akuzuarit dyshohen se kanë marrë ryshfete me vlerë deri në 100 milionë dollarë gjatë 25 viteve të fundit.