AlbanianSport.com 14/09/2021 17:55
ASNN – Përcillet për në banesën e fundit fizioterapisti i Kombëtares, i cili ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare. Familja e madhe e futbollit shqiptar i ka dhënë të martën paradite lamtumirën fizioterapistit dhe masazhatorit të Tiranës, por edhe të Kombëtares kuqezi, Ylli Mihalit. Ai nuk i mbijetoi dot betejës me virusin korona, teksa ishte ishte shtruar në spital dhe ishte në intubim, duke u ndarë kështu nga jeta në mënyrë të parakohshme, në moshën 55-vjeçare. Dhe homazhet në nderim të tij u zhvilluan në mjediset e Stadiumit “Selman Stërmasit” në kryeqytet.
Duke folur pasi ka bërë homazhet e tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka vlerësuar kontributin e Mihalit për futbollin shqiptar në përgjithësi, por edhe Kombëtares në veçanti. Teksa një numër i madh i tyre kanë shprehur keqardhjen për pamundësinë e të qenit fizikisht të pranishëm për këto homazhe, për shkak të kufizimeve si rrjedhojë e “Covid-19”, lojtarët e Kombëtares, të së shkuarës dhe të tashmes, që kanë qenë pranishëm kanë përcjellë kujtimet më të mira për “njeriun me duar të arta”.
Edhe për bashkëpunëtorët e tij ndër vite, dhimbja ka qenë e madhe për këtë humbje. Ylli Mihali do të mbetet gjithmonë edhe në kujtimet e futbollistëve të ndryshëm, që kanë patur fatin të ndjejnë përkujdesjen e tij. Ylli Mihali ishte pjesë e stafit mjekësor të Kombëtares shqiptare në rolin e masazhatorit prej 30 vitesh dhe do të mbetet gjithmonë i paharruar në kujtimet e të gjithë atyre që e njohën.