AlbanianSport.com 18/05/2020 18:40
ASNN – Vendimi i Ministrisë së Shëndetsisë mban ende pezull fatin e basketbollit dhe volejbollit. Futbolli ka nisur të lëvizë, por sportet me dorë mbeten ende në vendnumëro. Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, të datës 15 maj 2020, stërvitjet e sportistëve lejohen të zhvillohen, për të gjithë llojet e sporteve, vetëm në mjedise të hapura.
Ndërkohë, aktivitetet sportive dhe stërvitjet e sportistëve në mjedise të mbyllura vijojnë të jenë të ndaluara. Kjo nënkupton se dy disiplinat sportive kryesore të lojërave me dorë, volejbolli dhe basketbolli, vazhdojnë të jenë ende të bllokuara. Siç dihet, edhe kampionatet kombëtare të këtyre dy sporteve u ndërprenë në mesin e marsit dhe tanimë janë në pritje të lejimit fillimisht të stërvitjeve, pastaj të ndeshjeve.
Tek volejbolli, si për femra, ashtu edhe meshkuj, kanë mbetur edhe 3 javë deri në përfundim të sezonit të rregullt, për t’ia lënë më pas vendin fazës së “play-off”-eve. Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, ka përsëritur disa herë vendosmërinë e organizmit që ai drejton për ta mbyllur, brenda mundësive, në parket këtë sezon dhe për t’i shpallur aty kampionët, ndonëse janë përvijuar edhe skenaret e tjerë.
Ekziston, ndonëse jozyrtarisht, ideja e mbylljes së 3 javëve të fundit brenda një jave kalendarike dhe zhvillimi i të gjitha ndeshjeve në të njëjtin vend, për shembull, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës, për të garantuar respektimin maksimal të kushteve të protokollit shëndetësor. Ndërkohë, në basketboll, tek femrat është rënë dakord që të zhvillohet vetëm faza e “play-off”-it për titull, ndërsa tek meshkujt gjithçka është ende pezull, teksa po përvijohet edhe mundësia e mbylljes së sezonit pa shpallur fitues.