AlbanianSport.com 01/05/2020 23:10
ASNN – Është shndërruar si një betejë midis të mirës dhe të keqes, midis frikës dhe shpresës, apo, thënë ndryshe midis sportit dhe politikës, por duket se kjo e fundit po humbet terren. Franca tronditi UEFA-n me vendimin për të pezulluar kampionatin, teksa presidenti Makron paralajmëroi se, për arsye të pakuptueshme, do t’u kërkonte shteteve evropiane të bënin të njëjtën gjë.
Sidoqoftë, ka edhe vende të cilat kanë vendosur për të rifilluar veprimtaritë sportive. Dhe madje jo shumë larg Francës. Portugalia është një ndër shtetet më pak te prekura nga epidemia e “COVID-19” dhe ka vendosur të rifilloje kampionatin. Duke nisur nga dita e hënë, klubet portugeze do te rikthehen në stërvitje, teksa do të përgatiten për zhvillimin e ndeshjeve të mbetura.
Kampionati parashikohet të rifillojë në fundin e këtij muaji. Lajmi është konfirmuar nga Ministri i Ekonomisë, Pedro Siza Vieira. Në kampionatin portugez, janë zhvilluar 24 javë, teksa do të zhvillohen edhe 10 ndeshje të tjera për të përfunduar sezonin. Aktualisht, kampionatin e udhëheq Porto, e ndjekur nga Benfica me vetëm një pikë më pak.
Edhe kampionati çek është drejt rifillimit, shoqëruar me masa strikte për të frenuar përhapjen e virusit. Ndërkohë që Franca duket se është dorëzuar, ashtu siç duket se është dorëzuar edhe Holanda, ndërsa Belgjika është ende në pikëpyetje, vnë një tjetër vend europian po mendojnë të rinisin futbollit. Bëhet fjalë pikërisht për Zvicrën, aty ku po përgatiten për vazhdimin e sezonit futbollistik.
Sipas informacioneve të fundit që përcjellin mediat vendase, autoritetet qeveritare dhe ato të futbollit në shtetin helvet parashikojnë që Superliga zvicerane të rifillojë më datën 8 qershor 2020, gjithmonë në rastin se nuk do të përkeqësohet gjendja humanitare në vend prej koronavirusit. Ndërkaq, edhe kampionati polak ka fiksuar datën e rikthimit, sikundër shpreson të rikthehet edhe Turqia.