AlbanianSport.com 14.10.2016 15:15
ASNN – Kamza-Erzeni, të shtunën, Dinamo-Bylis dhe Tirana-Skënderbeu të dielën dhe Elbasani-Lushnja të martën, janë 4 sfidat që Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë drejtpërdrejt për sportdashësit.
Fundjava premton të jetë e ngjeshur me transmetime sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar pasi do të vijnë 4 ndeshje që do të luhen në kuadër të dy niveleve më të larta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.
Gjithçka nis të shtunën me transmetimin e takimit të vlefshëm për javën e dytë të grupit A të Kategorisë së Parë, midis Kamzës dhe Erzenit, që luhet duke nisur nga ora 14:00. Të dielën do të vijnë dy ndeshje të tjera dhe, duke nisur nga ora 14:00, luhet takimi i vlefshëm për javën e dytë të grupit B të Kategorisë së Parë, midis Dinamos dhe Bylisit.
Ndërsa në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt edhe takimin e vlefshëm për javën e 7-të të Kategorisë Superiore, midis Tiranës dhe Skënderbeut, që luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Transmetimet sportive mbyllen të martën, me takimin e vlefshëm për javën e dytë të grupit A të Kategorisë së Parë, midis Elbasanit dhe Lushnjës.