AlbanianSport.com 20.04.2015 18:20
ASNN – Ndryshe nga e para, gjysmëfinalja e dytë u përfshi në sherr, teksa lojtarë të të dyja kampeve janë përleshur me njëri-tjetrin. Dy minuta nga fundi, Bajollari dhe Mullai kanë shkëmbyer replika midis tyre, çka solli më pas edhe invadimin e fushës nga lojtarët e stolit. Gjithsesi, ky moment u zgjidh me nga një karton të kuq për të dy futbollistët dhe me ndërhyrjen e uniformave blu. Për sa i përket takimit, ai ka qenë rivalizues deri në fund, edhe pse Tirana fitoi në shifrat 4- 2.
Protagonisti i takimit ishte pikërisht Mullai që shënoi një 3-golësh për të tijtë, me të tre golat në pjesën e dytë. Golin tjetër e shënoi Bylyku gjashtë minuta nga fundi. Të parët që kaluan në avantazh ishte skuadra e Ali Demit me Thanasin në minutën e 7-të dhe me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, ndonëse rastet për shënim nuk munguan nga të dyja kampet përkatëse. Megjithatë, me të nisur pjesa e dytë i lojës, skuadra e Tiranës me Mullain barazon shifrat në të 23-tën.
Shtatë minuta më vonë po ky lojtar kalon në epërsi të tijtë. Loja bëhet interesante dhe me rivalitet në fushë, por mendon Bylyku në të 34-ën për të shënuar të tretin për skuadrën e Tiranës. Më pas ka kohë edhe për nga një gol për secilën palë, me Mullain për Tiranën dhe Baroviç për Ali Demin, në minutën e 38-të. Përfundon i gjithë takimi në shifrat 4-2 për Tiranën, duke ia dalë në këtë mënyrë të shkojë në finale me skuadrën e Flamurtarit.