Gjergj Vyshka 18.08.2016 08:05
Tirana, e rikthyer pas 6 vjetësh mungesë në Kupën UEFA në Futbollin e Sallës, e ka nisur me humbje dje përfaqësimin e saj në turin paraeleminator, ndeshjet e të cilit janë duke u zhvilluar me sistem grumbullimi në Maribor të Sllovenisë. Grupi i bardhebluve nuk është se ka shumë ndryshime me ato që kanë qenë në Maltë para 6 vjetësh, ndërsa janë shtuar Selmanaj, Gockaj, Metani, Skanja, Bajollari e Xhaferraj.
E megjithatë Pisha e kishte vendosur mirë skuadrën në mbrojtje duke kërkuar kundërsulmin më pas. Sllovenët, edhe pse kanë pasur mbështetjen e publikut, me shumë vështirësi kanë dalë në epërsi me anë të Çehut në minutën e 5-të. Katër minuta para fundit ka barazuar Selmanaj. Por shënon dhe një herë Çehu. E pikërisht në fundin e pjesës së parë Tirana ka pasur të drejtën e penalltisë, që Selmanaj e ka humbur.
Në pjesën e dytë Toskoviç dhe Klinc kanë thelluar në 4-1, ndërsa në fundin e lojës Nikolli ka shënuar golin e nderit për Tiranën e në përfundim një humbje 4-2. Për t’u evidentuar është dhe dalja me karton të kuq e Bylykut pas dy kartonëve të verdhë. Në ndeshjen tjetër, Gata Zdunska Vola ka mundur 10-4 Munsbahun. Sot Tirana do të luajë ndeshjen e dytë përballë Gata Zdunska Vola në ora 18:00 në Maribor.
Kupa UEFA në Futbollin e Sallës
Brezje Maribor – Tirana 4-2
Shënues: Çeh 5’, 19’, Totoskoviç 22’, Klinc 29’ / Selmanaj 16’, Nikolli 40’
E mërkurë, 17 gusht 2016, ora 20:30
në “Dvorana Tabor”, Maribor Slloveni
Brezje Maribor: Puskar, Çeh, Totoskoviç, Fetiç, Fidersek / Fras, Paviç, Jandriç, Kraljiç, Legçeviç, Klinc, Hasanbegoviç, Grusovnik. Trajner: R. Grdoviç
Tirana: Nebiu, Gjoni, Hoxha, Bylyku, Selmanaj / Metani, Nikolli, Gockaj, Lika, Sina, Xhaferraj, Çela, Skanja, Bajollari. Trajner: A. Pisha
Gjyqtarë: M. Mladenovski (Maqedoni), D. Berri (Irlandë)
Kartonë të verdhë: Totoskoviç, Fidersek / Selmanaj, Bylyku (2)
Karton i kuq: Bylyku