AlbanianSport.com 16.01.2017 12:20
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, metamorfoza e tij ishte mjaft e shpejtë, pasi të shtunën mbrëma u shpall lojtari më i mirë i futbollit të sallës në Kosovë për vitin 2016, ndërsa të dielën iu bashkua Kombëtares së Shqipërisë në këtë disiplinë të futbollit.
Bëhet fjalë për Narcis Alibegun, i cili e la përfaqësuesen e Kosovës në futbollin e sallës, për të luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë. Kombëtarja e Shqipërisë në këtë sport është mbledhur të dielën në Prishtinë, ku do të përgatitet për paraqitje në fazën e parë eliminatore për Evropianin e vitit 2018.
Në këto eliminatore do të marrë pjesë edhe Kosova, por pa njërin prej lojtarëve më të mirë të saj, Alibegun. Vendimi i 26-vjeçarit për të lënë Kosovën që të luajë për Shqipërinë nuk është pritur mirë nga zyrtarët e futbollit të sallës në Prishtinë, por Alibegu tashmë po shikon para drejt sfidave të reja, si lojtar i “kuqezinjve”.