AlbanianSport.com 12/12/2018 18:25
ASNN – Është hedhur të mërkurën në Nion të Zvicrës në selinë e UEFA-s, shorti për fazën paraeleminatore të Botërorit për Futbollin e Sallës. Në këtë fazë janë gjithsej 8 grupe me nga 4 ekipe përfaqësuese dhe Shqipëria bën pjesë në grupin C, së bashku me Maqedoninë, Greqinë dhe San Marinon.
Paraeleminatoret, Shqipëria do t’i zhvillojë nga data 29 janar, deri më 3 shkurt 2019, në shtetin fqinj, të Maqedonisë. Dy kombëtaret e renditura në vendin e parë të secilit grup do të kalojnë në fazën tjetër eliminatore dhe vendi i parë në grupin C do të jetë në një grup me: Ukrainën, Slloveninë dhe vendin e dytë në grupin B, të fazës paraeliminatore.
Këto përballje do të zhvillohen në Ukrainë nga data 22, deri më 27 tetor 2019. Vendi i dytë në grupin C do të jetë në një grup me: Kazakistanin, Rumaninë, fituesin e grupit në fazën paraeliminatore dhe vendin e dytë nga C-ja. Këto përballje do të zhvillohen në Rumani, nga data 22, deri më 27 tetor 2019.
Faza finale e Kampionatit Botëror të Futbollit të Sallës 2020 do të zhvillohet nga data 12 Shtator, deri më 4 tetor 2020 në Lituani.