Gjergj Vyshka 30.01.2017 11:35
Trajneri i kombëtares së futbollit të sallës rrëfen emocionet e kalimit të turit paraeliminator: “Tani do të shohim kundërshtarët”. Erind Resuli, trajneri i kombëtares së futbollit të sallës të Shqipërisë, për kualifikimin e kuqezinjve në turin paraeliminator të Kampionatit Evropian në Varna ka vlerësuar grupin.
Për më tepër ai ka theksuar se rinovimi i kombëtares me lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë e që për më tepër kanë 3 vjet që janë bashkë e ka bërë efektin e vet. Sigurisht që për të nuk ka qenë e lehtë, sepse të mundësh Bullgarinë vendëse, apo dhe Anglinë.
Kjo e fundit, në renditjen e përgjithshme të UEFA-s dhe FIFA-s është më lart se sa kuqezinjtë, çka do të thotë shumë. E tashmë do të niset të mendohet për kundërshtarët e prillit, që janë Azerbajxhani, Hungaria dhe Bosnje-Hercegovina. Sepse kjo kombëtare mund të shkojë larg me cilësitë që ka.
Ja dhe intervista e trajnerit Erind Resuli për “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– E kishit parashikuar një ecuri të tillë në Varna të Bullgarisë?
– Normalisht po, sepse kemi bërë një përgatitje të fortë në Prishtinë për gati 10 ditë. E kam thënë dhe herë të tjera që të përgatitesh në minus 12 gradë celsius me dy stërvitje në ditë nuk është e lehtë. Dhe po kështu nuk ka qenë po kaq e lehtë dhe në Varna. Sidomos përballë skuadrës vendëse të Bullgarisë, apo dhe Anglisë, e cila në renditjen e përgjithshme është disa shkallë më lart se sa ne. Mirëpo ne besonim.
– Cila ishte pika e fortë e kombëtares tuaj?
– Forca e grupit. Mirëkuptimi mes tyre. Unë kam fatin e mirë që punoj prej 3 vjetësh me këta lojtarë, shumica e të cilëve luajnë jashtë. Kemi bërë një rinovim të brezave dhe tashmë jemi në pikën që arrijmë të kualifikohemi për më tej. E jo vetëm kaq, por kjo kombëtare premton dhe për më shumë. Dhe këtë e them me bindje.
– Tanimë deri në prill cili është programi juaj?
– Do të nisë shumë shpejt studimin e kundërshtarëve. Janë të tre ekipe që kanë një cilësi shumë të lartë se sa ne dhe janë shumë të fortë. Dhe këtu e kam fjalën si për Azerbajxhanin, ashtu dhe Hungarinë e Bosnje-Hercegovinën. Megjithatë ne do të bëjmë më të mirën tonë.
– Që do të thotë…?
– Sipas rregullores e para kualifikohet direkt për në finalet e Evropianit, kurse të dytat dhe e treta më e mirë shkon në “play-off”. Atëherë ne do t’i provojmë të gjitha shanset tona duke qenë dinjitozë dhe duke bërë të njëjtën lojë që kemi bërë dhe në Varna të Bullgarisë. Nuk do të jetë e lehtë, por unë besoj, sepse kjo Shqipëri, jo vetëm për sot, por dhe në vazhdim ka forcën e grupit.