Gjergj Vyshka 26.01.2017 18:45
Për kualifikimin historik të kuqezinjve të futbollit të sallës në Varna një mesazh urimi ka ardhur dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Për kreun e FSHF-së këta djem kurorëzuan më së miri një punë disavjeçare të kësaj skuadre.
“U gëzova tej mase dhe jashtëzakonisht shumë nga rezultati i të dy ndeshjeve të kombëtares shqiptare të futbollit të sallës në këto paraeleminatore të Evropës”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Mundëm me shumë meritë dhe shumë bindshëm si Bullgarinë në takimin e parë, ashtu edhe Anglinë sot, – ka vijuar ai. – Ky është fryt i punës disavjeçare të trajnerit Resuli, stafit dhe djemve që arritën këtë kualifikim të shkëlqyer.”
“I uroj nga zemra djemtë, por dhe (trajnerin) Erindin, i cili e ka dëshiruar shumë një paraqitje të tillë për një rezultat pozitiv, – ka theksuar Duka. – Përkushtimi profesional i tij nuk kishte se si të mos prodhonte një sukses të tillë!”
“Përgëzime çunave për këtë objektiv shumë të vështirë, por tashmë të bërë fakt dhe të arritur: Kualifikimin!”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.