Gjergj Vyshka 26.10.2015 07:55
Paraqitje dinjitoze e Shqipërisë së futbollit të sallës drejtuar nga Erind Resuli, ndërsa vetëm mungesa e fatit në ndeshjen me Francën e ka privuar nga kualifikimi. Shqipëria e futbollit të sallës i ka mbyllur Eliminatoret e Kampionatit Botëror në vendin e dytë.
Ashtu sikurse parashikohej tanët kanë fituar edhe ndeshjen e fundit me Maltën, 6-3, një takim të cilin e kanë pasur gjithnjë në kontroll. E ka hapur serinë e golave Brahimi dhe mandej Karaja në të 11-ën ka thelluar në 2-0.
Goli i Mangion në minutën e 12-të, që ka shkurtuar diferencën e golave në 2-1, ka shërbyer si nxitje për tanët. Halimi në të 19-ën dhe në të 23-ën ka thelluar në 4-1. Shënon Saliba, por Begaj dhe Brahimi nuk lëshojnë “pe” dhe 6-2.
Dhe ai që i ka vënë vulën ndeshjes ka qenë Milijiç e përfundimisht 6-3 për tanët, të cilët janë renditur në vendin e dytë dhe vetëm fati në ndeshjen me Francën, të cilën e kanë humbur, 0-1, i ka privuar nga kualifikimi për në turin tjetër.
E megjithatë është një paraqitje më shumë se dinjitoze për kuqezinjtë e sallës, të cilët tashmë duhet t’ia lënë radhën kampionatit.
Maltë – Shqipëri 3-6
Shënues: Mangion 12’, Saliba 25’, Milijiç 38’ /
Brahimi 8’, 37’, Karaja 11’, Halimi 19’(p), 23’, Begaj 32’
Malta: Gresh, Milijiç, Zamit, Saliba, Kallef / Balzan, Mangion, Azopardi, Kardona, Musu, M. Atard, Inguanez, Stivala. Trajner: P. Puliçino
Shqipëria: Rrapi, Mejzini, Halimi, Selmanaj, Brahimi / Gashi, Begaj, Hasaj, Bllumbi, Agolli, Karaja, Hoxha, Kaca. Trajner: E. Resuli
Gjyqtarë: D. Nikoliç (Slloveni), O. Niemela (Finlandë)
Kartonë të verdhë: Milijiç, Zamit, Saliba, Stivala, Kardona, M. Atard / Karaja (2)
Karton i kuq: Karaja